
TIRANË- “Sot, pasardhësit direkt të bunkerit që përmbysëm 21 vjet më parë, jo vetëm nuk kanë shprehur për asnjë moment pendesën e tyre, por ata kanë uzurpuar kreun e partisë kryesore opozitare të vendit dhe natyrisht nuk janë rikthyer dot në bllok, por kanë rikthyer bllokun me të gjithë psikologjinë e tij”. Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë ceremonisë së inaugurimit të Pavijonit të Terrorit Komunist në Muzen Historik Kombëtar, në kujtim të 20 shkurtit të vitit 1991, shembjes së monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, krahas nderimit të thellë të atyre që i cilësoi martirë e të pavdekshëm që u flijuan për lirinë dhe demokracinë e vendimit të shtypur nën diktaturën më monstruoze, Berisha lëshoi akuza në drejtim të kreut të PS-së, Edi Rama dhe opozitës si mbajtëse peng e integrimit.
“Këta shokë, ose zotërinj bllokuan për dy vite procesin e integrimit të vendit duke dëshmuar se interesi i tyre, se doktrina e etërve të tyre është më parësore se interesi i shqiptarëve dhe vendit. Këta do kenë ndëshkimin e merituar si paraardhësit e tyre”- tha ai.
Sipas Berishës, kjo datë e rëndësishme ndan dekadat e shtypjes ekstreme, poshtërimin më cnjerëzor, kujton datën në të cilën mijëra shqiptarë me një guxim e kurajë të pabesueshme të përmbysin jo bronzet metalike, por të përmbysin në Tiranë bronzet e gjalla, të cilat vite pas vdekjes së tij vazhdonin me krenari kriminale rrugën e tij.
“Evropa ka njohur në historinë e saj diktatorë nga më të ndryshëm, por ajo ka të regjistruar në memorjen e vet dy më mizorët, Hitlerin dhe Enver Hoxhën. Hitleri mbi baza racizmi ndërmori krimet më monstruoze, Hoxha si Hitleri pas luftës, organizoi mbi bazën e luftës së klasave terrorin më të paparë ndaj një kombi në Evropë”- tha ai.
Sipas Berishës, në stendat e kësaj ekspozite ne do njihemi me qëndresën sakrificën, burrërinë, heroizmin e qindra mijëra grave dhe burrave që u flijuan vetëm e vetëm se ata njësoj si ne besonin te Zoti, donin të flisnin të lirë, donin që vendi i tyre të ecte drejt Evropës, të bashkohej me kombet e qytetëruara evropiane.
Ai theksoi se në këto stenda mungojnë shumica, mijëra heronj të pakënduar. “Cfarëdo që të bëjmë ne sot e kemi të vështirë t’i shpjegojmë brezit që vjen ato që përjetoi vendi i tyre, por kurrë nuk duhet të heshtim që kjo të mos mund t’i ndodhë më kombit shqiptar. Ky komb ka historinë e vet, por historia e diktaturës është më e dhimbshme dhe më e pamerituar e kombit shqiptar”- tha ai.
© Panorama.al











