
Kryeministri, Sali Berisha tha sot në mbledhjen e qeverisë se kabineti i tij po përgatit një paketë të re të nxitjes së rritjes ekonomike. Kryeministri garantoj se kjo paketë dhe rritja ekonomike ka si alf dhe omega, lehtësimin , mbështetjen dhe nxitjen e biznesit.
Qeveria tha kryeministri, do të thjeshtojë në mënyrë të ndjeshme barrën e bizneseve në pagesën e tatim-fitimit.
“ Kjo tani realizohet në 13 pagesa gjatë vitit. Kjo i kushton biznesit 125 orë. Qeveria po bën gjithçka që barra burokratike të thjeshtohet në shkallën më maksimale. Me këtë projektligj pagesat e detyrimeve të tatim-fitimit nga biznesi zbresin në 5 pagesa, pra zbresin në çdo tre muaj. Kohën prej 125 orësh e redukton në rreth 70%.”- theksoi kreu i qeverisë.
Kryeministri ishte kritik me administratën, kur tha se, duhet të bëhet gjithçka dhe të merret çdo masë ndaj atyre që flenë me sy hapur në detyrë dhe vonojnë përgjigjet ndaj biznesit dhe qytetarëve.
“Kriza është dhe do mbetet afatgjatë, Shqipëria ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të shmang reçesionin, por edhe të garantojë rritje. Modeli ynë ekonomik është një nga modelet më të shkëlqyera. Me lupë duhet të kërkojmë çdo pengesë që i ushtrohet sipërmarrjes së lirë.”-përfundoi kryeministri.
Ai sulmoi edhe modelin ekonomik të propozuar nga opozita, ku tha se taksa progresive, nuk do të kthehet më, pasi ajo është arkivuar nga Shqipëria dhe shqiptarët.
“Me praktikat e të shkuarës nuk mund të ndërtohet e ardhmja”- tha ai.
© Panorama.al











