Kryeministri Sali Berisha, nga qyteti i Korçës u është përgjigjur dje akuzave të opozitës për mungesën e masave për situatën emergjente në verilindje të vendit. Kreu i qeverisë, i shoqëruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode, ishte dje në qytetin e Korçës, ku zhvilloi takime me Shtabin e Emergjencës dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Për Kryeministrin, opozita e kryesocialistit Rama u kujtua një javë me vonesë për situatën e krijuar në vend dhe, sipas tij, qeveria kishte ngritur Komitetin e Emergjencave. “Deklaratat e opozitës i përgënjeshtron sot më mirë se çdo gjë tjetër situata aktuale në Shqipëri. Por mund të them se opozita u kujtua se kishte rënë borë në Shqipëri një javë pasi Kryeministri kishte ngritur me urdhër Komitetin e Emergjencës. Merrni kronikat e lajmeve të televizionit tuaj dhe fjalimin që ju çoi si i ati i tij shpirtëror, që tha se ‘nuk po ma lexoni mirë, por do ta lexoj vetë tani’”, theksoi Berisha. Kryeministri, para gazetarëve korçarë, e ka kaluar me një barcaletë qëndrimin dhe rolin e opozitës për situatën e krijuar nga reshjet e dëborës. “Më shkon mendja tek ajo historia e druvarit me Njazin, që i shkoi si mik dhe i thotë: ‘Çfarë të bëj unë, se nuk rri dot pa punë?’. Natën e parë e priti shumë mirë, të nesërmen në mëngjes i thotë Njazi se ‘e kam të vështirë, nuk rri dot pa punë’. ‘Jo, më ke ardhur mik’. Por ai këmbëngulte se nuk rrinte dot pa punë. ‘Mirë, i thotë, shiko çfarë mund të bësh’. Doli dhe pa njërin që po priste dru. ‘E gjeta, tha, po bëj ëëë’. Kështu edhe opozita.
PROGRAMI
Shefi i qeverisë deklaroi se opozita e vendit është konfuze në qëndrimet e saj dhe situata emergjente në vend, sipas Berishës, tregon mosfunksionimin e programit të PS-së. Kryeministri ka ironizuar dhe qëndrimin e deputetëve të majtë për deklaratat e tyre në Kuvend dhe media. “Para dy netësh, një deputet i tyre fliste përçart për qeverinë në një kohë kur dy ditë më parë e kisha dëgjuar të fliste për sportin, se kishte hall të merrte një skuadër. Pra, opozita është e çakorduar në këtë rast, as programimi i vet nuk i funksionon. Të vijë këtu, të vijë në Shtab e të kërkojë llogari, të ushtrojë kontroll. Nuk ka ardhur qoftë edhe një deputet prej tyre”, tha Berisha. Numri një i Ekzekutivit pohoi se do të raportonte në Kuvend lidhur me gjendjen e emergjencës së krijuar në verilindje, por një gjë e tillë nuk iu kërkua nga të majtët. “Të bërtasësh se nuk erdhi Kryeministri në Parlament kur nuk e kërkuan, kjo është qesharake. E dini ju pse nuk e kërkuan Kryeministrin ata? Se Kryeministri ishte i gatshëm t’u shkonte dhe t’u raportonte pikë për pikë. Por e dinin se do të përballeshin me një listë të gjerë, shumë të madhe, të masave të ndërmarra për përballimin e situatës në çdo skaj të vendit, dhe këtë nuk donin ta dëgjonin, por donin të bënin konferenca shtypi. Kjo nuk ishte normale”, theksoi Kryeministri.
FONDET
Kryeministri Berisha iu përgjigj dje shqetësimit të krerëve të komunave për mungesën e fondeve për mbajtjen hapur të rrugëve nga reshjet e dëborës. Nga Korça, Kryeministri tha dje se pushteti lokal duhet të hapë vetëm rrugët që lidhin komunat me njëra-tjetrën, dhe jo rrugët kombëtare, pasi ato janë detyrë e qeverisë. Kryeministri ka siguruar se fondet e alokuara për pushtetin lokal janë të mjaftueshme për të mundësuar hapjen e rrugëve dytësore.
PËRGATITJA
“A na gjeti pa përgatitur ky dimër? Psikologjikisht po. Materialisht jo”. Kështu iu përgjigj dje Kryeministri deklaratave se qeveria ishte e papërgatitur për situatën e shkaktuar nga moti i keq në verilindje të vendit. “Gjashtë vjet më parë ne kemi pasur një dimër të ashpër, jo si ky, por kemi pasur bllokime rrugësh. I gjithë vendi kishte shtatë borëpastruese. Sivjet, vetëm në rrethin e Kukësit kanë funksionuar mbi 30”, tha Berisha.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











