Kryeministri Sali Berisha del kundër propozimit të kreut të PS-së, Edi Rama, për ndryshimin e Kushtetutës. Një ditë pasi Rama pranoi gabimin në ndryshimin e Ligjit themeltar të shtetit në vitin 2008 dhe kërkoi ndryshimin e tij, kreu i qeverisë u përgjigj negativisht gjatë një takimi me banorët e Baldushkut. “Ky proces, liritë tuaja, zhvillimi i vendit ka një kusht mbi të gjitha kushtet dhe ky kusht është zbatimi i ligjit, ky kusht është: të gjithë të barabartë para ligjit. Atyre që bërtasin të ndryshojmë Kushtetutën sa herë u lëviz karrigia, atyre do t’u them këtu sot se ky vend ka nevojë të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë ligjet dhe se ju që doni të ndryshoni drejtimin e erës, duhet të ndryshoni velat, se drejtimi i erës nuk ndryshon”, u shpreh Berisha. Në intervistën në “Top Channel”, Rama tha: “Nuk është përgjigje e lehtë, por mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes së zgjedhjeve të 2009, aq më shumë mund të pranoj përfundimin se në ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do duhej bërë, duke konsideruar se sa larg është pala tjetër”. Kreu i qeverisë iu rikthye takimeve inauguruese kur preu dje shiritin e përfundimit të punimeve në rrugën ura e Farkës- fshati “Mustafa Kocaj” me gjatësi 15 km dhe vlerë 513 milionë lekë. “Edhe 12 km të tjerë duhet të ndërtojmë ne që të dalim në Peqin, në Pajovë. Ju garantoj se edhe këto 12 km do të ndërtohen, pra krahas autostradës me 4 korsi, ne do të bëjmë gjithçka që të lidhim të gjitha zonat, sepse rruga, këto 13 km, i japin një gjallëri të madhe kësaj lugine valorizojnë kodrat, shpatet, luginën e gjithë këtij territori, sikundër shpreh kënaqësinë që këto vite në komunën e Baldushkut janë ndërtuar 20 km rrugë të tjera, komuna ka bërë përpjekje të mëdha për lidhjen e të gjitha fshatrave me qendrën e komunës, duke hapur rreth 50 km rrugë në tërë territorin e saj”, tha më tej Kryeministri.











