TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha ka garantuar noterët shqiptarë se qeveria që drejton do të bëjë gjithçka nevojitet për shndërrimin e këtij shërbimi në një shërbim modern, transparent, e me emër të mirë të interes të qytetarëve dhe të vendit.
Në fjalën e tij në kongresin e parë të Noterëve, Berisha ka theksuar se “qeveria shqiptare ka besim të madh, vlerëson rolin themelor dhe do bëjë gjithçka në një bashkëpunim të frytshëm që ju të shndërroheni në një nga shërbimet më moderne në Shqipëri e Evropë”.
Sipas Berishës vullneti për t’u përmirësuar e reformuar në mënyrë të vazhdueshëm është një tregues shumë pozitiv e që duhet vlerësuar.
“Do të keni mbështetjen tonë të plotë. Drejtuesit tuaj dhe ju dëshmoni gjithnjë e më shumë aftësitë vetërregulluese që është mekanizmi më themelor për të garantuar autonominë. Kemi besim tek ju dhe në procesin e reformave, në interesin më të mirë të qytetarëve, biznesit, llogarisim zgjerimin e përgjegjësive tuaja, funksioneve dhe kjo sjell shërbimet më të mira, më pak burokratike, më të shpejta, më të sigurta për qytetarin”- tha ai.
Sipas tij, nuk ka rrugë më të sigurtë për të parandaluar krizat ekonomike, për të shpejtuar zhvillimin se përpjekjet e një shteti dhe shoqërie për garantimin e lirisë së tregut.
© Panorama.al











