
Kryeministri Sali Berisha ngushëlloi familjen e Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në Kandahar, Afganistan, ndërsa i uron shërim Nëntetarit Aleksandër Peçi, i cili gjithashtu u plagos në krye të detyrës dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kreu i qeverisë shprehet se; “Ai sot ju mungon juve, vëllezërve të armëve, me të cilët luftoi në Kandahar, Forcave tona të Armatosura dhe kombit që e nisën në këtë mision të rëndësishëm paqeje. Vepra dhe kujtimi tij do të nderohet gjithmonë. Shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij.”
Kryeministri njofton se ka qene mënjherë në ministrinë e Mbrojtjes, ku është informuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mbi ngjarjen dhe rrethanat, në të cilat Kapiten Vogli ra në krye të detyrës dhe nëntetar Aleksandër Peçi u plagos rëndë.
Po ashtu, kryeministri Berisha i ka telefonuar edhe Komandantit të Njësisë, Kolonel Behar Mara. Kryeministri ka marrë gjithashtu një telefonatë nga Komandanti i ISAF, Gjenerali John Allen i cili ka shprehur ngushëllimet e tij.
Gjeneral Allen thuhet në deklaratë, e siguroi Kryeministrin se do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.
© Panorama.al











