
Takimi me ministrin e Jashtëm australian: Do vij në Shqipëri
Kreu i qeverisë, Berisha, mori pjesë dje në punimet e ditës së parë të Konferencës së 48-të të Sigurisë, e cila po zhvillohet në Mynih, në datat 3-5 shkurt. Në këtë Konferencë merr pjesë dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Ahitfete Jahjaga. Në ditën e parë të punimeve, konferenca trajtoi dy tema; “Roli i Gjermanisë në Europë e në botë”, si dhe “Energjia, burimet dhe ambienti: si parametra për një siguri të re?”. Në përfundim të punimeve të ditës së parë të Konferencës, Kryeministri Berisha u prononcua mbi takimet e zhvilluara, si dhe mbi diskutimet në sesionet e sotme: “Kjo është konferenca më e rëndësishme vjetore që bëhet në kuadrin e sigurisë euroatlantike. Në këtë konferencë, siç njoftoi organizatori i saj, ish-sekretari i Shtetit të Republikës Federale Gjermane, diplomati i njohur Ischinger, marrin pjesë delegacione të 70 qeverive nga Europa, SHBA-të, Kanadaja dhe vende të tjera të botës. Në tërësi, konferenca trajton çështje të sigurisë euroatlantike dhe globale”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, por është një vend gjithashtu në të cilin do të kalojnë dhe gazsjellës të mëdhenj, që do të sjellin gazin kaspik drejt Europës. Ndaj dhe e konsiderova shumë të rëndësishme këtë seancë. Bisedova me faktorë kryesorë, siç është Presidenti i Azerbajxhanit, ku unë së shpejti do të kem një vizitë zyrtare në këtë vend mik, por edhe me faktorë e me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm në fushën e energjisë. Në një takim me ministrin e Jashtëm të Australisë, Berisha ka marrë premtimin se do të vizitojë në një kohë të afërt Shqipërinë në një vizitë historike për një ministër të Jashtëm të një vendi mik, që do të jetë një nxitje e madhe për marrëdhëniet bilaterale që ka Shqipëria me këtë vend mik”.
Konferenca për Sigurinë
Konferenca e Sigurisë e Mynihut është themeluar në vitin 1962. Në këtë eveniment marrin pjesë sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Hillary Clinton, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Leon Panetta, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton etj.











