Berisha në Muzeun e Holokaustit: Nuk ka më keq se diktatorët

Apr 29, 2012 | 11:39
Berisha duke folur në ceremoninë e prezantimit të dokumentarit

Në ditën e fundit të qëndrimit në SHBA, Kryeministri Sali Berisha ka vizituar Muzeun Përkujtimor të Holokaustit. I shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha, kreu i qeverisë ka marrë pjesë në ceremoninë e prezantimit të filmit dokumentar “Besa”, i cili sjell historinë strehimit të hebrenjve në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke folur gjatë kësaj ceremonie, Berisha tha se “duke vizituar këtë muze, mendimi i parë që të vjen në mend është se nuk ka asgjë më të keqe se sa diktatorët, sepse ata kanë një fuqi negative mbi njerëzit për t’i transformuar si qenie njerëzore; siç ishte Holokausti, një nga aktet më barbare të botës së civilizuar, të civilizimit tonë. Holokausti ishte bazuar në ideologji dhe ajo çfarë ishte tragjedia më e madhe është pjesëmarrja e madhe në aktin më johuman që njerëzimi ndoshta ka njohur”. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zv.ndihm-ëssekretari i Shtetit, Philip Reeker, i cili falënderoi familjet shqiptare në emër të sekretares Klinton për ndihmën ndaj hebrenjve. Sipas Kryeministrit, shqiptarët dhe hebrenjtë kanë edhe një të përbashkët tjetër, aleatin e tyre SHBA. “Por ne kemi edhe të përbashkët tjetër, kemi një mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi shumë krenarë të kemi një mik të tillë. Unë takova dje sekretaren Klinton dhe në takim ishte edhe zoti Reeker, gjithashtu ambasadori Arvizu. Ai ishte një nga takimet më miqësore, sepse në çdo fjalë gjeta një vullnet të fortë për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët, një mbështetje të fortë për Shqipërinë për të ecur përpara, për të konsoliduar demokracinë”, u shpreh më tej kreu i Ekzekutivit shqiptar. Ai tha se “këtë vit, ne festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë, sepse në një nga momentet më të vështira të historisë sonë, kur diskutohej ekzistenca e shtetit shqiptar, ne patëm mbështetjen e vendosur të këtij vendi, i cili na mbështeti jo për shkak të ndonjë interesi, por mbi ideale,  vlera e principe, të cilat janë në themel të kësaj demokracie të madhe. Ne supozohej që të fshiheshim nga harta politike e Europës, por Presidenti Uillson e refuzoi”.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura