Berisha në Konferencën e Mynihut, fton Klintonin në Shqipëri

Feb 5, 2012 | 11:17
Berisha dhe Klinton

Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje për një vizitë zyrtare në vendin tonë sekretaren Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton. Në ditën e dytë të Konferencës së Mynihut, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një takim të shkurtër edhe me sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta. Duke folur në një prononcim për mediat gjatë konferencës, kreu i Ekzekutivit u shpreh se “Konferenca kishte sot ditën e saj kulmore. Për herë të parë, tërësisht të pazakontë, që nuk ka ndodhur në historinë prej më shumë se katër dekadash të kësaj konference, në seancën e mëngjesit iu adresua pjesëmarrësve sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hilari Klinton dhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta. Si rregull, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut kanë marrë pjesë ose sekretari i Mbrojtjes, ose sekretari i Departamentit të Shtetit”. Sipas tij, “në këtë kontekst, mund të them se pesha e Konferencës ishte shumë e madhe, dhe kjo ishte arsyeja që dy personalitet kryesore të qeverisë së Shteteve të Bashkuara iu adresuan Konferencës për të paraqitur edhe strategjinë e Shteteve të Bashkuara, vendosmërinë e tyre për ta konsideruar Europën si një përparësi dhe, natyrisht, zhvendosjen drejt Azisë e Pacifikut, si rajone të cilat meritojnë tani vëmendjen më të madhe për shkak të ndryshimeve shumë të mëdha që kanë ndodhur këto dy dekada në gjeopolitikën e gjeostrategjinë e botës. Pata rastin t’i takoj shkurtimisht të dy dhe t’i ftoj për të ardhur në Shqipëri, ftesë që e pranuan me kënaqësi”.
Kryeministri zhvilloi dje gjithashtu një takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Dovutoglu. Në njoftimin për shtyp të zyrës së kreut të qeverisë thuhet se gjatë takimit Berisha e vuri theksin te bashkëpunimi dhe investimet turke në turizëm, duke theksuar se Shqipëria mund të përfitojë nga eksperienca e shkëlqyer turke në këtë sektor. Ministri i Jashtëm, Dovutoglu, u angazhua që të tërheqë vëmendjen e strukturave përkatëse dhe investitorëve turq në këtë drejtim. “Kryeministri riafirmoi qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë për ruajtjen e kufijve aktualë, si interesi më i mirë për paqe, stabilitet e prosperitet afatgjatë në rajon. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se pozicioni serb në lidhje me tri komunat e Veriut të Kosovës i kontribuon ruajtjes së tensionit në dëm të paqes në rajon. Gjithashtu u diskutua për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë, si një element kyç për stabilitetin”. Kreu i Ekzekutivit shqiptar u takua dje edhe me zv.ministrin e Jashtëm të Izraelit, Daniel Ayalon. Zyrtari izraelit nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe merr një rëndësi të madhe në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare dhe veçanërisht atyre ekonomike, dhe se Izraeli u jep një peshë të veçantë, bazuar në marrëdhëniet historike mes dy popujve, por edhe interesat strategjikë të përbashkët. “Hapja e ambasadës së izraelit në Shqipëri do të kontribuojë në mënyrë thelbësore në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin për shtyp.

© Panorama.al

Te lidhura