ROMË- Italia ka ritheksuar mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në BE dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, kryesisht ato energjetike. Deklarata është bërë sot gjatë një konference për mediat mes dy kryeministrave, atij shqiptar, Sali Berisha dhe italian, Mario Monti
Në fjalën e tij, Berisha ka vlerësuar ndihmën e madhe që është dhënë nga Italia në kuadër të bashkëpunimit që sipas tij arrin në mbi 600 milionë euro shndërruar në qindra e qindra projekte.
“Këtë vit ne kremtojmë këtë vit 100 vjetorin e pavarësisë së vendit dhe ishte kënaqësi e madhe që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996 në KE e takoj sot kryeministër dhe e ftoj të vizitoj vendin tim. Shqipëria cdo ditë e më shumë bëhet partner i këtij vendi dhe ju garantoj se cdo vit e më tepër do bëhet partner me potencialet e saj. Diskutuam se si të inkurajojmë investimet, diskutuam për projekte të mëdha energjetike, bashkëpunim në të gjitha fushat, me theks mbështetjen e Italisë për integrim në BE që ka qenë gjithnjë shumë e fuqishme”- tha Berisha.
Duke deklaruar se ai ka pritur thuajse gjithë kryeministrat Italianë ka ftuar Montin të vizitojë Shqipërinë.
Nga ana e tij, homologu Monti është shprehur i kënaqur për bilancin e marrëdhënieve dypalëshe. “Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE. Une dhe Berisha jemi takuar për herë të parë në Bruksel në 1996 kur unë isha komisar në Bruksel. I kam shprehur vlerësimin për përpjekjet e Shqipërisë për reformat që ia ka kërkuar BE gjatë rrugës së integrimit dhe kam ripohuar nga ana e qeverisë italiane mbështetjen tonë më të fortë në këtë drejtim”- tha ai.
Axhenda
Kryeministri Sali Berisha merr pjese ne punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-italian, ne kuader te vizites se tij ne Itali, ne te cilin u nis nje dite me pare.
Kryeministri Berisha do të pritet në një takim të vecantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano. Gjithashtu ai do të takohet në Montecitorio me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, z. Gianfranco Fini.
Gjatë vizitës, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë Forumit Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që zhvillohet në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare.
Sipas kryeministrise, në prezantimin e tij, Berishado të bëjë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi do të përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme Giulio Terzi di Sant’Agata.
© Panorama.al












