
Vizita e Kryeministri Sali Berisha dje në Budva është shoqëruar me heshtjen e Partisë Demokratike, për të zhvilluar negociata me socialistët. Largimi i Kryeministrit ka “paralizuar” tentativat për të negociuar midis palëve, në nivel të krerëve të grupeve, për arritjen e një emri konsnesual për kreun e shtetit. Ndërkaq, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se Shqipëria do të punojë për një frymë të re të marrëdhënieve me Serbinë dhe më vendet e tjera të rajonit. Deklarata e kreut të qeverisë shqiptare erdhi dje gjatë një takimi të përvitshëm të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, që organizohet nga Grupi i Mëngjesit të Lutjeve në Europën Juglindore. Berisha theksoi në fjalën e tij se të pranosh njëri-tjetrin dhe të punosh së bashku -kjo është e ardhmja. “Sot ne jemi një komb që jeton në vende të ndryshme. Ne jemi të bashkuar në diversitet. Vendi im ka kënaqësinë të ketë marrëdhënie miqësore me Malin e Zi, me Kosovën e vende të tjera dhe natyrisht do të punojmë për një frymë të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, sepse të pranosh njëri-tjetrin dhe të punosh së bashku – kjo është e ardhmja”, theksoi Berisha. Kryeministri theksoi se shqiptarët janë të privilegjuar për shkak të harmonisë fetare dhe se vendi ynë ka dy mbrojtës, Jezusin dhe Profetin Muhamed.











