Berisha me kreun e BB, diskutohen projektet 2011-2014

Jun 28, 2011 | 15:32

TIRANË- Projektet që do të gjejnë mbështetjen e Bankës Botërore gjatë katër viteve në vazhdim kanë qenë në qendër të takimit të sotëm mes kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe drejtoreshës së Bankës Botërore për Shqipërinë, Jane Armitage.

Gjatë takimit, Berisha u ndal në sektorët prioritar të cilët do të përbëjnë bazën e Dokumentit të Politikave për Zhvillim 2011-2014.

Sipas këtij dokumenti, vazhdimi i reformës së Pronësisë së Tokës, mbështetja për Arsimin e lartë me synimin e rritjes së cilësisë së tij, rritja e performancës dhe menaxhimit në sektorin e ujit të pijshëm si edhe kullimit e vaditjes, zgjerimi dhe intensifikimi i reformës së inspektimit si edhe ndërmarrjen e disa iniciativave të rëndësishme në fushën e teknologjisë së komunikimit dhe Informacionit, janë disa nga projektet e rëndësishëm.

Kryeministri ka vlerësuar bashkëpunimin me Bankën Botërore si edhe projektet e rëndësishme që po zbatohen në Shqipëri të financuara nga kjo bankë.

Nga ana e saj, Armitage vlerësoi vëmendjen që qeveria i ka kushtuar zbatimit të këtyre reformave dhe ka garantuar mbështetjen me financime të BB.

Në fund, Berisha theksoi rëndësinë e mbështetjes së pushtetit vendor për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe rritjen e  nivelit të mbledhjes së taksave.

 

© Panorama.al

Te lidhura