TIRANË- Vlerësim për reformat dhe zhvillimin në shumë sektorë dhe mbështetje të plotë për rrugën integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Deklarata është bërë sot nga Guvernatori Haëard Dean, i cili ka shërbyer për 6 mandate si guvernator i shtetit Vermont dhe në vitin 2004 garoi për t’u përzgjedhur kandidat për President i Partisë Demokratike në SHBA, gjatë takimit të zhvilluar me kreun e qeverisë, Sali Berisha.
Në takim u vlerësua, liberalizimi i vizave me BE-në dhe ecja përpara me shpejtësi në projektin madhor kombëtar të integrimit në BE. Gjithashtu u theksua rëndësia që ka si për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për Europën anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE do të vazhdojnë të gëzojnë mbështetje, inkurajim dhe ndihmën e të gjithë miqve të Shqipërisë dhe të rajonit, si në Europë ashtu dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- ka thënë guvernatori, duke shtuar se integrimi sa më i shpejtë i të gjitha vendeve të rajonit në BE është dhe mbetet rruga më e mirë për të ardhmen e këtyre vendeve dhe popujve të tyre.
Ai përgëzoi kryeministrin për punën e mirë të bërë me rrugën e kombit, që ka vlerë jo vetëm për kombin shqiptar, por, sipas Guvernatorit, do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimin e mbarë rajonit.
Nga ana e tij, Berisha e njohu Guvernatorin me reformat dhe arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, duke u ndalur në veçanti në ndërtimin dhe modernizimin e rrjetit infrastrukturor në të gjithë vendin, dixhitalizimin, shkurtimin, lehtësimin dhe modernizimin e të gjitha procedurave administrative etj,
© Panorama.al











