
Kryeministri Sali Berisha priti dje një grup gazetarësh të mediave më prestigjioze gjermane, të cilët kanë nisur një vizitë disaditore në Shqipëri, për t’u njohur me resurset turistike të vendit tonë dhe progresin e bërë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, thuhet se Kryeministri Berisha pasi bëri një ekspoze të arritjeve të Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në realizimin e një sërë reformash, theksoi se qeveria e konsideron procesin e integrimit si të bazuar në meritë dhe performancë. “Qeveria e konsideron këtë proces të bazuar në meritë dhe po punon me përparësi për realizimin me shpejtësi të standardeve e normave të kërkuara për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, ajo që ne synojmë, është zhvillimi i qëndrueshëm i vendit. ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’ është projekti me të cilin ne synojmë të bëhemi pjesë e BE-së dhe në realizim të kësaj, gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë një sërë reformash kyç ekonomike, fiskale dhe strukturore. Falë këtyre reformave, tha Kryeministri, ekonomia shqiptare arriti t’i rezistojë krizës më të rëndë ekonomike dhe financiare që Europa e bota ka njohur”, theksoi shefi i ekzekutivit shqiptar. Duke folur mbi ecurinë e procesit integrues të vendit, Kryeministri vlerësoi normalizimin e situatës politike në vend, duke theksuar se forcat politike po bashkëpunojmë në Parlament për realizimin e reformave të kërkuara në kuadër të integrimit europian. Një tjetër aspekt i rëndësishëm, ku janë përqendruar përpjekjet e qeverisë, tha më tej Kryeministri, është edhe teknologjia e informacionit. Në vijim të takimit, Kryeministri Berisha paraqiti potencialet që Shqipëria ofron për investime.











