Berisha me biznesin austriak: Do ulim barrën fiskale

Jun 13, 2012 | 15:24
Berisha me biznesmenët austriakë

Ulja e barrës fiskale për biznesin është vlerësuar nga kreu i qeverisë si përgjigjja e duhur ndaj krizës ekonomike. Gjatë një mëngjesi pune me biznesin austriak, Berisha iu referua disa prej projekteve më të rëndësishme ku ky biznes është prezent, për të vlerësuar kontributin e tyre. Ai solli në vëmendje investimin në projektin “Devoll Hydropower” me një vlerë prej një miliard eurosh, që po zhvillohet nga kompania austriake “EVN” dhe norvegjezja “Statkraft”. Kryeministri prometi më shumë mbështetje për biznesin, duke theksuar se do të vijohet të lehtësohet barra fiskale për këtë të fundit. “Për Shqipërinë nuk ka mënyrë mbrojtjeje më të mirë ndaj kësaj krize shumë të vështirë, sesa inkurajimi i biznesit dhe investimet. Prandaj mbetemi shumë të përkushtuar për të bërë çdo gjë për të lehtësuar barrën burokratike, për të lehtësuar barrën fiskale, për të ndërtuar infrastrukturën më të mirë, për t’ju shërbyer”, tha Berisha. Po dje, kreu i qeverisë mori pjesë edhe një konferencën për zhvillimin rajonal e organizuar nga Ministria e Integrimit, Këshilli i Ministrave dhe PNUD. Kreu i qeverisë, në fjalën e tij solli në vëmendje reformat e ndërmarra nga qeveria për t’i krijuar më shumë hapësira pushtetit vendor sa i përket decentralizimit fiskal. Ai theksoi se reforma të mëtejshme do të merren për të mundësuar hapësira të reja në këtë aspekt. Një tjetër pikë ku kreu i qeveris u ndal ishte ajo e mundësimit të mikrokreditit. Kjo pjesë konsiderohet si një “ngërç”, pasi në Shqipëri mungon një sistem kreditimi për zonat rurale në vend. Lidhur me këtë Berisha kërkoi që nga pushteti vendor të bëhet më shumë për promovimin e “prodhimit” të zonave të tyre dhe nxitje të artizanatit. Kjo, sipas tij, do t’i shërbejë punësimit dhe krijimit të të ardhurave. “Ne mbetemi të vendosur të organizojmë një sistem mikrokrediti në mbarë vendin. Qarqet dhe zhvillimi i tyre janë jetike për zhvillimin e vendit, por janë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, dhe zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton zhvillim, i cili nuk lë një tagër të rëndë për ata që vijnë pas nesh, zhvillim i cili trashëgohet dhe i reziston kohës, nuk dëmton të ardhmen e atyre që vijnë. Në këtë kontekst, mjedisi është kushti më kryesor, mbrojtja dhe zhvillimi i tij, për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura