
Kryeministri Sali Berisha sulmoi ashpër kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama për të cilin tha se po përpiqet të përfitojë kapital politik me gjendjen e krijuar, duke mbjellur tmerr dhe terror.
“Më duhet t’i them Ramës, që bën ciu ciu nga mëngjesi në darkë, emergjencat janë çështje burrave dhe grave të guximshëm dhe kurajozë dhe se je i vetmi që bën korbin. I vetmi që përpiqesh të nxjerrësh kapital nga një situatë e tillë. I vetmi, dhe unik që bën kallogjerin, kasandrën e të keqes, që na thua se pas borës do të vijë përmbytja, dhe pas përmbytjes do vijë dita e fundit. Ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformimi të paskrupullt me telefonata, njofton se u shembën katër shtëpi, dhe këtu kanë zënë brenda kaq njerëz. Në raportin e tij fatal me vdekjen, ky njeri ka kulturë të vetme përdhosjen e kodit të vdekjes.”- tha kryeministri në fjalën e tij në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile.
Më tej, Kryeministri bëri një pasqyrim të përgjithshëm lidhur me punën që është bërë kryesisht gjatë ditës së sotme për tu ardhur në ndihmë banorëve në emergjenca mjekësore apo ushqimore, si dhe për hapjen e rrugëve.
Dy qellimet kryesore, shtoi ai, jane shpetimi i jeteve njerezore dhe hapja e sa me shume akseve rrugore.
Ai tha se janë bërë përpjekje të mëdha për hapjen e akseve rrugore, dhe sot kemi një situatë më të përmirësuar.
“Në aksin Bajram Curri- Fierzë dhe Kukës- Peshkopi është punuar me përgjegjësi dhe ka një përparim të madh në këto akse. Po punohet me intensitet në aksin Pukë- Fushë Arrëz, nesër besohet se do jetë i hapur. Po punohet në drejtim të Qafë Malit, Prekalit, dhe është ecur, Shalë, Dukagjin, Vermosh, Kelmend, Valbonë, Dragobi dhe Lekbibaj, dhe komuna të tjera.”- tha kreu i qeverisë.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga anëtarët e Komitetit, për të cilët tha se; “ kanë qenë sot gjatë gjithë ditës në krye të detyrës, në qarqet me probleme bore. Nishani ishte në Korçë, Pogradec dhe Librazhd, Olldashi në Kukës, Haxhinasto në Pukë, deputetë dhe qeveritare në të gjithë zonën e prekur.”- tha ai.
Ministria e Shëndetësisë është marrë intensivisht me urgjencën mjekësore, dhe u është përgjigjur thirrjeve për ndihmë, vazhdoi Berisha, duke shtuar se, ajo ka përgatitur paketat me medikamente, që do të shpërndahen gjatë ditës së nesërme në të gjitha komunat.
© Panorama.al











