
Mblidhet Komiteti për 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Shqiptarët e bënë luftën të mbështetur në paundin e taksapaguesve britanikë”
Edhe një herë për historinë dhe historianët. Kryeministri Sali Berisha iu rikthye edhe një herë rishkrimit të historisë së Shqipërisë, zbardhjes së të vërtetës dhe madje nuk nguroi të japë mendimin e tij për disa momente të rëndësishme e personalitete historike, të cilët duhet të kihen në veçanti parasysh nga historianët.
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit për 100-vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Berisha kërkoi nga historianët, studiuesit, por dhe nga institucionet zyrtare të vendit, që t’u japin vendin që u takojnë ngjarjeve të mëdha historike. “Kjo është jetike, është e domosdoshme, sepse në 100 vjet, asnjë komb e asnjë vend tjetër, nuk pati, nuk përjetoi një deformim e falsifikim madhor të historisë, siç patën dhe përjetuan shqiptarët, nuk pati dhe nuk përjetoi një injorim, mohim, bllokim të momenteve kulmore në historinë e tyre, siç patën shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo që janë. Diktaturat, pushtimet, bënë që ata të mos njohin të vërtetat historike të kombit dhe vendit të tyre”, u shpreh Berisha. Ai u ndal te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, te mbështetja e britanikëve dhe njohja e meritave të tyre në çlirimin e vendit. Më tej ai u ndal në emra konkretë, shumë prej të cilëve u lanë në harresë nga diktatura, apo u konsideruan të ndaluar. Ai përmendi emrat e vëllezërve Kryeziu, Abaz Kupit, Princ Vidit, Luigj Bumçit, Jak Serreqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Veli Hoxhës, Vehbi Dibrës, Ndoc Çobës, Mit’hat Frashërit etj. Berisha u shpreh se në këtë vit të shënuar duhet të shkruhet e vërteta dhe ajo të mos shkruhet siç thotë Nexhmije Hoxha, “e cila shfrytëzon lirinë, për të mbrojtur barbaritë e të shoqit mbi kombin dhe vendin e tij”.
Lufta Nacionalçlirimtare
Hera e pranuar, herë jo, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është bërë vazhdimisht temë debati mes historianësh. Një pjesë e mirë e pranojnë atë si përpjekjen e shqiptarëve për t’i dalë zot vendit, ndërsa për një pjesë tjetër ajo nuk ishte veçse një luftë civile, vëllavrasëse, e cila u ngrit në piedestal gjatë diktaturës. Pikërisht në këtë ngjarje të madhe historike, u ndal dje edhe Kryeministri Berisha, i cili ndër të tjera tha se “ajo përbën një nga faqet më të ndritura, në mënyrë të padiskutueshme, të historisë sonë. Çdo njeri që mendon të vërë në mëdyshje rëndësinë jetike të rezistencës së armatosur të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, në 100-vjetorin e pavarësisë, bën një gabim fatal. E vërteta është se Shqipëria, me atë luftë, u rreshtua në anën e koalicionit antifashist, u rreshtua në anën e drejtë të historisë dhe bëri që çdo përpjekje e mëtejshme për copëtimin e saj, që ishte reale, të hidhej poshtë. Pra, jo vetëm që shqiptarët u renditën në atë anë të drejtë që duhej të ishin, por me atë luftë, me atë gjak, me ato sakrifica, ia dolën të bëhen zot të patjetërsueshëm të atyre territoreve”. Ai kujtoi disa momente të rëndësishme gjatë LANÇ-së, si Konferenca e Bujanit, ku u diskutua në mënyrë të veçantë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. “Lufta ishte një zotdalje ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, territoreve të tyre. Ky vlerësim për luftën, në tërësi, nuk vihet në diskutim”. Në lidhje me debatin ishte apo jo luftë civile, Kryeministri tha se kishte disa aspekte të tilla në të, por “nuk ishte luftë civile”. Sipas Berishës, këto janë të pashmangshme në luftë dhe ka ndodhur edhe në vende të tjera të Europës. Por, ai tha se ka pasur luftë mes grupeve rivale, e cila shënoi ekzekutime makabre të luftëtarëve e intelektualëve nga radhët e nacionalistëve, legalistëve, ballistëve, që nuk ndanin të njëjtën ideologji me forcat komuniste.
Qemal Stafa, shumë emërtime nëpër Tiranë
Duke folur për vendosjen në vendin që u takon personaliteteve të historisë shqiptare, Berisha do të ndalej pak te emri i Qemal Stafës. Sipas tij, emri i dëshmorit është shumë i përhapur nëpër rrugë e shkolla, në një kohë që të tjerët nuk përmenden askund. “Unë e respektoj Qemal Stafën, por nuk mund të jem kurrë dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard të ketë vetëm emrin e tij. Kjo është një disbalancë e madhe në histori. Se cila është merita për të pasur stadiumi emrin “Qemal Stafa”, i cili do të shndrisë gjithmonë në altarin e lirisë së kombit shqiptar, unë këtë e kam pasur të vështirë ta gjej. Dhe këto disbalanca duhet të ekuilibrohen”, tha Berisha, duke shtuar se ka edhe shembuj të tjerë si këta.
T’u njihet merita britanikëve gjatë LANÇ

Gjatë mbledhjes së Komitetit për 100-vjetorin e Pavarësisë, teksa foli për LANÇ-in, Berisha u ndal në veçanti te kontributi i aleatëve britanikë në të. “E vërteta e madhe historike është se shqiptarët kanë bërë luftën, para së gjithash e mbi të gjitha, të mbështetur në paundin e taksapaguesve britanikë. E vërteta është se ishte Britania e Madhe ajo që i armatosi luftëtarët e lirisë në Shqipëri, në një motiv; armë çdo burri e gruaje që del të luftojë për liri, me kusht që ata të zbresin në fushëbetejë. Këtë solli Billy McLean në misionin e tij në Shqipëri. Është në nderin e veteranëve të luftës të mos injorojnë këtë kontribut historik të taksapaguesve dhe të qeverisë britanike”, tha Berisha, duke renditur disa momente të rëndësishme kur Britania e Madhe ndërhyri në krah të Shqipërisë. Ai përmendi emrat e gjithë të dërguarve me mision në Shqipëri, që do të bëheshin figura të mëdha politike më vonë, si Julian Amery, David Smiley, Dayrell Oakley-hill, Billy McLean etj. Mohimin e këtij kontributi Kryeministri e quajti një nga faqet më të zeza të diktaturës komuniste.
© Panorama.al











