Berisha: Ligje transparente për decentralizimin fiskal

May 18, 2012 | 11:26

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka garantuar sot pushtetin vendor se në bazë të projektit më të fundit të USAID-it “Planing and local governance project”, do të ridimensionohet decentralizimi fiskal si kusht themelor për konsolidimin e decentralizimit në tërësi.

Sipas tij, decentralizimi fillak nuk ka ecur me shpejtësinë e duhur për motive politike, pasi një marrëveshje që u arrit me shoqatat nuk u votua në kuvend për qëllime të njohura, por kjo takon së shkuarës.

“Unë zotohem se qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale mbi bazë ligjesh transparente, por ju duhet të angazhoheni për mbledhjen, administrimin e taksës së biznesit të vogël, taksës së pasurisë. Nëse mendojmë se do ecim si në socializëm pa paguar, ne ecim mbrapa, duhet të forcojmë disiplinën në të gjitha hallkat dhe s’ka më kryesore se të ardhurat buxhetore për ju”- tha Berisha.

Ai theksoi se qeveria do të ndajë një seri taksash me vendorët dhe u ka bërë thirrje atyre të ushtrojnë kompetencat. Duke ritheksuar angazhimin për mbështetje dhe bashkëpunim, Berisha ka deklaruar se nuk ka e nuk do të ketë asnjë diskriminim për shpërndarje fondesh mbi baza partiake.

© Panorama.al

Te lidhura