Kryeministri Sali Berisha tha dje se qeveria shqiptare do të ngrejë shumë shpejt Komitetin e Diasporës. Këtë deklaratë, kreu i Ekzekutivit e bëri gjatë një takimi me ministrin e Diasporës së Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli. “Kryeministri Berisha e njohu ministrin Makolli se së shpejti do të ngrihet në Shqipëri Komiteti i Diasporës, i cili do të ketë si mision të tij dhe do t’u kushtojë një vëmendje të veçantë lidhjeve me diasporën, si dhe kultivimin e identitetit të saj kombëtar, promovimin e arsimimit në gjuhën amtare dhe do të ketë si përparësi të punës së tij bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe me institucionet e tjera në vendet e rajonit, të cilat kanë si mision të tyre marrëdhëniet me shqiptarët jashtë atdheut”, thuhet në njoftimin e qeverisë. Gjithashtu, gjatë takimit u theksua rëndësia që shqiptarëve të diasporës t’u krijohet sa më shpejt mundësia infrastrukturore për të votuar në zgjedhjet demokratike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.











