Berisha: Kolegji i dha leksion Ramës

Jul 12, 2011 | 9:50

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vlerësoi dje vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor për ankimimet e Partisë Socialiste.Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat, Berisha akuzoi kreun socialist se përmes animimit të fundit në Kolegj kërkonte vetëm të dëmtonte fitoren e kundërshtarit. “Kolegji, me vendimin e tij të fundit, përcaktoi se askush nuk mund t’i shkelë afatet ligjore të përcaktuara për paraqitjen e ankesave në sistemin e ankimimit. Duhet të jem i sinqertë, i dha një leksion të fortë zotit Rama, por dhe të gjithë politikanëve. Nuk mund të ketë shopping forumesh. Ky është leksion që do ta marrë çdo politikan. Unë nuk them se kjo nuk ishte një garë e ngushtë, ishte një garë fare e ngushtë, por ne zgjodhëm moralin në të gjithë qëndrimin tonë. Absolutisht ne nuk përcaktuam kusht që nuk pranojmë fitoren. Absolutisht jo të drejtën e numërimit të çdo vote. Ne nuk paraqitëm ankesa për të zhvleftësuar qoftë edhe një kuti të vetme, ndonëse zoti Rama mund të shkonte edhe 500 vota pas, në qoftë se ne çonim në gjykatë apo në KQZ kutitë me fletë dhe kundërfletë”, u shpreh Berisha në mbledhjen e Grupit të deputetëve demokratë. Sipas tij, në hartimin e Kodit Zgjedhor, me konsensus janë vendosur afatet kohore për ankimimet, ndërsa ato u shkelën nga Partia Socialiste. “Ti ke të drejtë të ankohesh, ke të drejtë të vësh në diskutim, ke të drejtë të kërkosh në etapa të caktuara të gjithë problematikën që mendon se të është bërë e padrejtë, por nuk ke kurrë të drejtë të zvarritësh procesin. Ndaj dhe ligjvënësi përcakton afate. Ndaj dhe me zotin Rama kemi vënë një nen në Kod, në të cilin themi se nuk ekziston mundësia e rivendosjes në afat të çështjeve. Nuk ekziston, sepse po të ekzistonte, vetëm kjo mundësi do të përdorej teknikisht për të zvarritur dhe fragmentuar procesin”, u shpreh Berisha. Gjatë mbledhjes së Grupit pa praninë e mediave, kreu i Partisë Demokratike i ka njoftuar deputetët se shumë shpejt do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së, por pa dhënë një datë të saktë të tij. Këshilli Kombëtar është zgjedhur nga kongresi i fundit i PD-së, ndërsa pritet që ai të zgjedhë Kryesinë dhe Sekretariatin e kësaj partie. Në vijim të mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat, kryeministri Berisha e ftoi kreun e opozitës që të bashkëpunojnë sa më shpejt për një reformë zgjedhore të plotë në interes të vendit. “Dua të ftoj kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, në interesin e tij më të mirë, por edhe të vendit, sigurisht, që të fillojmë sa më shpejt reformën zgjedhore. Ky sistem funksionoi. Ky sistem kapërceu me sukses një nga provat më të vështira për çdo vend të zhvilluar, siç është gara kaq e ngushtë, por ky sistem mund të përsoset më tej dhe kemi rekomandime për të shqyrtuar. Është bërë fjalë se Partia Socialiste do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. E përgëzoj dhe e garantoj që Partia Demokratike dhe koalicioni ynë është i gatshëm që së bashku me ta të kërkojë mbështetjen e Komisionit të Venecias, sikundër dhe mbështetjen e OSBE/ODIHR-it”, u shpreh Berisha. Sipas tij, PS duhet të japë kontributin e saj në miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. “E ftoj zotin Rama të shqyrtojmë bashkërisht ligjet me 3/5 që presin votimin dhe mbetemi të hapur të mirëpresim çdo amendament që Partia Socialiste do paraqesë. Mendoj se Partia Socialiste i ka të gjitha potencialet për të dhënë kontributin që i takon, për të mos përdorur bllokimin për votimin. Dhe jam i bindur se ky është interesi i saj dhe interesi i vendit”, u shpreh Berisha.

LSI dhe PDIU bashkojnë votat me PS në Dërmenas

Sefedin Jaupi i LSI-së është kryetari i këshillit komunal në Dërmenas. Zgjedhja e tij erdhi pasi dy këshilltarët e LSI-së dhe një i PDIU-së bashkuan votat me 6 këshilltarët socialistë në këtë komunë, e cila përbëhet nga 17 anëtarë. Koalicioni i djathtë në shumicë anëtarësh nuk kishte mundur të zgjidhte anëtarin e vet për shkak se këshilltarët e tij nuk kishin marrë pjesë në mbledhjet e radhës. Kjo kishte rrezikuar dhe shkrirjen e këshillit për mungese funksionimi. Zgjedhja e kryetarit të ri, këshilltar i LSI-së, ka ndodhur në mënyrë të papritur, pas pakënaqësive që kanë shfaqur këshilltarët e LSI dhe të PDIU-së për anëtarët e koalicionit të djathtë. Duke parë këtë situatë, këshilltarët e PS-së i kanë dhënë mbështetje njërit prej këshilltarëve të LSI-së e duke bashkuar votat me LSI dhe PDIU, kanë krijuar shumicën me 9 vota pro Jaupit.

Dështon për  herë të gjashtë zgjedhja e kreut të këshillit Ulzë

Këshilltarët e komunës Ulzë kanë votuar 6 herë dhe nuk kanë arritur të zgjedhin kreun e këshillit komunal. Këshilli përbëhet nga 13 anëtarë, 6 të majtë dhe 7 të djathtë, por dhe në votimin e djeshëm, kryetari nuk arriti të marrë 7 vota. Kandidatët në garë për kreun e këshillit komunal janë Pashke Shpani, e Aleancës për të Ardhmen dhe Erald Gjegji, i koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Pas gjashtë votimeve, as Shpani dhe as Gjegji nuk kanë siguruar të paktën shtatë vota. Në të shumtën e votimeve ata dalin barazim, ndërkohë që një apo dy këshilltarë e nxjerrin votën të pavlefshme ose votojnë gabim.

Milo: PS të konsultohet me aleatët
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, ka mbështetur iniciativën e Partisë socialiste për t’i kërkuar opinion Komisionit të Venecias lidhur me zgjedhjet në Tiranë. Por, kreu i Demokracisë Sociale u ka kërkuar socialistëve që për të gjitha këto veprime do të ishte mirë që të konsultohej me aleatët. “Opinioni i Komisioni të Venecias qartëson shumë situata të diskutueshme dhe të paqarta ligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne do të kishim dashur të ishim informuar nga Partia Socialiste dhe të kishim dhënë mendimet tona”, mësohet të jetë shprehur kreu i Demokracisë Sociale.

Dule: Reforma Zgjedhore, sa më shpejt
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkoi dje nga Dropulli që reforma zgjedhore të nisë shumë shpejt. “Nuk ka përse të pritet 2013-a për të reformuar Kodin aktual Zgjedhor. Forcat politike duhet medoemos të jenë aktorë, për të siguruar së bashku zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, dhe kjo në dobi të zhvillimit dhe konsolidimit të sistemit të demokracisë, që së fundi, me zhvillimet e fundit politike dhe në Drejtësi, ka pësuar deformime të ndjeshme”, u shpreh Dule. Duke folur për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, ai u shpreh se Kolegji gaboi rëndë me vendimin e fundit, duke i hequr fitoren Edi Ramës.

Gjinushi, takim me Ramën në PS

Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, ka takuar dje në selinë rozë kreun socialist Edi Rama. Mësohet se Rama e Gjinushi kanë folur për aksionin opozitar që pritet të nisë nga shtatori, me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Shumë shpejt pritet të aktivizohet dhe tryeza e partive opozitare, e cila, pas zgjedhjeve të 8 majit, nuk është mbledhur më. Kjo dhe për shkak se koalicioni zgjedhor “Aleanca për të ardhmen” ishte ndërtuar vetëm si koalicionin elektoral. Socialistët kanë vendosur të hyjnë në Parlament në shtator, ndërsa kreu i kësaj partie, Edi Rama, është shprehur për një kurs të ri politik të kësaj partie, kurs i cili pritet të qartësohet në vjeshtë.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura