Berisha:Këtë vit punësojmë rreth 30 mijë qytetarë

May 10, 2012 | 19:11

TIRANE- Rreth 30 mijë qytetarë shqiptarë pritet të punësohen nga një serë projektesh të qeverisë shqiptare të prezantuara sot nga kreu i këshillit të ministrave, Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit për Zhvillime e Rajoneve.

Kryeministri Sali Berisha foli për realizimin e disa projekteve që do të rrisin në mënyrë të ndjeshme punësimin në vend, kryesisht në zonat rurale.

Berisha u ndal në tre momente kryesore, kur tha se do të bëhen investime në 1200 km rrugë rurale, do të ndërtohen 155 ujësjellsa të rinj që do të furnizojnë me ujë të rrjedhshëm 250 banorë si dhe do të ndërtohen dhe rikonstrukstohen 200 shkolla që do tu shërbejnë 100 mijë nxënësve.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se do të ngrihen edhe 44 qendra shëndetësore në shërbim të 122 mijë banorëve.

Duke folur për urbanizimin e vendit, kryeministri u shpreh se ndërtimi i 1200 km rrugë rurale është një nga premtimet më të vështira të maxhorancës, por shtoi,  është një nga projektet më vendimtare për urbanizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Sa i përket furnizimit me ujë, Berisha theksoi se qëllimi i qeverisë është 24 orë ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e shqiptarëve, në një vend që pasuria më e madhe janë ujrat.

Të gjitha këto projekte, përfshirë edhe ato në bujqësi kryeministri tha se punësojnë rreth 30 mijë qytetarë, çka sipas tij,  i jep një frymëmarrje të re punësimit, dhe e bën Shqipërinë një nga vendet më të pakta që në një kohë krize të thellë, punësimi rritet ndjeshëm.

© Panorama.al

Te lidhura