Kryeministri i kërkon opozitës të votojë ligjin për nëpunësin civil, si prioritet për integrimin në BE.
“Rama si bllokator, sillet si në Kominternin e Partive Komuniste”
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë kërkoi që militantët partiakë të mos jenë pjesë e administratës publike. Duke bërë komentet e tij për dy ligje që lidhen me rekrutimet në administratë, “Për nëpunësin civil” dhe “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, Berisha tha se duhen marrë përvojat më të mira të vendeve me demokraci të konsoliduar.
“Ndonëse në ligj, për hir të së vërtetës, ekspertët nuk kanë sugjeruar një ndarje të këtij shërbimi nga politika, unë mendoj se në politikën e konsoliduar të disa vendeve perëndimore, kjo ekziston dhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj praktike, sepse është interesi më i mirë i këtij shërbimi. Çështja e përkatësisë partiake është një privacion, sigurisht, por meqenëse disa vende e kanë, mendojmë që t’i përmbahemi. Ata të cilët pranojnë të jenë pjesë e shërbimit civil të mos kenë përkatësi partiake. Sigurisht që ata votojnë, sigurisht ata kanë preferencat e tyre partiake”, u shpreh Berisha. Pas 7 vjetësh në pushtet, dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s, kreu i qeverisë kërkon që të ndërtojë një administratë jashtë ndikimeve partiake, ndërkohë që shumë militantë i kanë të varura të gjitha shpresat në një rrotacion pushteti për të zënë një vend pune. “Dua të motivoj ndoshta edhe për disa vite tek ne, që shërbimi mund të qëndrojë apartiak dhe mund të qëndrojë jashtë fushatave elektorale, sepse do të dëmtohej. Angazhimi në fushata elektorale dhe në veprimtaritë e partive politike, këtë shërbim do ta lëndonte”, u shpreh Kryeministri. Por, kreu i maxhorancës nuk la pa akuzuar edhe kryesocialistin Rama për qëndrimin e tij në Parlament ndaj disa nismave ligjore e që lidhem me procesin e integrimit të vendit në BE. “Ndërkohë ligji për Gjykatën e Lartë, që është edhe ai një nga kushtet, është dërguar në Parlament, por është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit, zoti Rama, që sot merr pjesë në Internacionalen Socialiste, por që e vërteta është se ai sillet sikur merr pjesë në Kominternin apo në Internacionalen Komuniste. Sepse të shkosh atje si bllokator i procese integruese, je i vetmi në këtë forum të nderuar”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Rama shkon natyrisht duke pasur përgjegjësinë e rëndë, duke qenë i regjistruar në librin e zi europian dhe botëror të korrupsionit, sepse bllokove dhe imunitetin në datën 6 gusht, por dua të them këtu se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për kapërcimin, për përmbushjen e detyrimeve të saj në radhë të parë, të cilat janë këto ligje që ne i dërgojmë, ndonëse ligji i nëpunësit civil që ne dërgojmë kërkon 3/5”.
Të diplomuarit jashtë shtetit të rekrutohen Për kreun e qeverisë, të diplomuarit në universitetet më të mira jashtë shtetit nuk duhet t’i gjejnë dyert e mbyllura në administratën publike apo në universitete. “Në mënyrë jo të shpeshtë, por sigurisht ndodh që individë që kanë studiuar në universitet më të mira, që kanë bërë një seri punimesh shkencore me një impakt të madh, i gjejnë dyert e mbyllura. Është e domosdoshme që një akt i veçantë të parashikojë të gjitha dyert e hapura për ta, në universitete, në administratën publike dhe në shërbimin civil. Dhe këto ligje duhet të marrin detyrimisht parasysh këtë kriter”, u shpreh Kryeministri Berisha. Dhe në të shkuarën qeveria, për të stimuluar të diplomuarit jashtë shtetit, ka vendosur bonuse shtesë kualifikimi për të gjithë atë që fillojnë punë në administratën shtetërore.
Berisha reagon ndaj shkrimit të Lubonjës në “Panorama”
Hidrocentrali në plazhin e Bunecit
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj shkrimit të analistit Fatos Lubonja, publikuar pak ditë më parë në gazetën “Panorama”, me titull “Hidrocentralizimi i Shqipërisë”. Berisha i cilësoi qëndrimet e Lubonjës të bazuara në keqdashje dhe zili, të cilat mundohen të zhvlerësojnë punën e madhe që është bërë dhe vazhdon të bëhet në interesin më të mirë të vendit. “Një nga eksponentët më kryesorë të opozitës shkruante ‘Hidrocentralizmi i Berishës’. Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marrë, ai sillte si shembull Ashtën, e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës, nuk ka fatkeqësi më të madhe”, u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Në shkrimin e tij të ditës së hënë, Lubonja trajtonte çështjen e hidrocentraleve, të cilat po dëmtojnë turizmin dhe mjedisin, duke sjellë në vëmendje shembullin e hidrocentralit të ngritur në plazhin e Bunecit.
“Sado i lajthitur të jetë Doktori, thotë Lubonja në shkrim, nuk mund të mos e shohë se kjo është një katastrofë për ambientin, për turizmin, për peizazhin, për të mos thënë një çmenduri e vërtetë”.