Berisha: Jemi të përgatitur për çdo emergjencë

Feb 22, 2012 | 12:06

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke njoftuar  të dhënat më të fundit të situatës për shkak të motit, përmirësimin e gjendjes, uljen e numrit të komunave në izolim ka deklaruar se qeveria është e përgatitur për cdo lloj emergjence.

Në këtë mënyrë Berisha i është përgjigjur akuzave të opozitës dhe kreut të saj, Rama. “Në asnjë rrethanë nuk është mirë të rrahësh gjoksin me fatkeqësinë, por qeveria ka patur plane dhe është gjithnjë gati për emergjenca, e ka dëshmuar qartë shkallën e lartë të përgatitjes për emergjenca. Ka përballuar emergjenca nga më seriozet. Uroj që asnjë të mos vijë, por natyrisht mbetemi të përgatitur për reagim shpejt të mundshëm ndaj tyre. Emergjencë do të thotë në radhë të parë shpëtosh njerëzit”- tha Berisha.

Sipas tij, kjo emergjencë e motit kaloi vetëm me një viktimë , ndërkohë që në Evropë shifrat kaluan mbi 500.

“Sot kemi një numër shumë të kufizuar komunash në Alpe, që disa prej tyre e kanë të përvitshëm këtë situatë, mbi 96% e këtij territori që shtrihej nga Leskoviku në Vermosh është jashtë emergjencës në rrafshin e komunikimit. Qeveria do e mbajë emergjencën duke bërë të mundur hapjen e rrugëve të fshatrave dhe përkujdesjen për shkrirjen e borës, se është moment që favorizon orteqet. Do ketë evakuim të popullatës në zonat që ka këtë tendencë dhe gjithçka për të kursyer jetët”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura