Berisha: Je i vetmi korb në Europë

Feb 15, 2012 | 10:29

Kryeministri akuzoi dje kreun e opozitës se shpif për gjendjen e emergjencave: Ministrat janë në terren.

“Ky njeri ka një pasion të çmendur për të përdhosur të vdekurit”

Situata emergjente në zonat e verilindjes së vendit ka bërë që Kryeministri Sali Berisha të mblidhte dje në mbrëmje Komitetin Ndërministror për t’u njohur rreth masave më të fundit në ndihmë të banorëve në zonat e izoluara nga reshjet e shumta të borës. Berisha u shpreh se për përballimin e situatës së vështirë janë ndërmarrë operacione të jashtëzakonshme për të përballuar situatën e dëborës, e cila ka paralizuar trafikun në vend dhe jetën. Prioritet për Kryeministrin do të jetë shpëtimi i jetëve njerëzore. “Unë kam ndjekur në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore, nga Korça në Vermosh anëtarët e Komitetit kanë qenë gjatë gjithë ditës në krye të detyrës në qarqet me probleme dëbore. Zoti Nishani ishte në Korçë, Pogradec dhe Librazhd, zoti Olldashi në Kukës gjatë gjithë ditës, deputetët e tjerë qeveritarë në zona të tjera. Qëllimi kryesor është shpëtimi i jetëve njerëzore, ky është objektivi i parë dhe më madhor. Vetëm sot helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, mjetet dhe automjetet kanë transportuar një numër jo të vogël të sëmurësh, mbi dhjetë të tillë. Janë shpëtuar jetë të kërcënuara”, theksoi Berisha.
Qëndrimi i opozitës
Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e PS-së se po shfrytëzon situatën e vështirë si rrjedhojë e motit të keq, për të përfituar politikisht. “M¸ duhet t’i them zotit Edi Rama, që bën ciu-ciu nga mëngjesi deri në darkë, se emergjencat janë çështje e grave dhe burrave të përkushtuar, të guximshëm, të vendosur dhe kurajoz¸ dhe t’i them se je unik sot në Europën e mbuluar nga bora, je i vetmi që bën korbin, je i vetmi që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë, je i vetmi dhe unik që bën kallogjerin, Kasandrën e së keqes, që në një paranojë enveriane na thua se pas borës do vijë përmbytja dhe pas përmbytjes do vijë dita e fundit. Nëse nuk je i zoti të ndihmosh, atëherë shpif e trillo sa të duash, por me të vdekurit mos u merr, lëri në paqen që ata meritojnë. Ata nuk mund të bëhen, në asnjë rast e në asnjë rrethanë, ob    jekt politizimesh”, theksoi Kryeministri. Berisha akuzoi opozitën se po dezinformon qytetarët me telefonata të rreme për shembjen e shtëpive në zonat e bllokuara nga dëbora. Për Kryeministrin, qëndrimi i Partisë Socialiste është i papranueshëm, pasi sipas tij Rama po përdhos kodin e vdekjes. “Ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformimi të paskrupullt, ku me telefonata njofton se këtu u shembën 10 shtëpi, se 4 shtëpi kanë zënë brenda të gjithë njerëzit e tjerë. Dhe më e keqja është se në raportin e tij fatal me vdekjen, ky njeri ka kulturë të vetme përdhosjen e kodit të vdekjes. Sot, nga selia e Partisë së tij, ai citonte familjen e një intelektuali të shquar, një asistent profesor në Margegaj, sipas të cilit nëna e tij ka mbetur mbi dhe 2 ditë. Ky ka një pasion të çmendur për të përdhosur të vdekurit dhe për t’u marrë me t¸ vdekurit. Ju kujtohet Kosta Trebicka, se ç’bëri me të, ose dhe në raste të tjera. Nuk i ndërhyhet tjetrit në fatkeqësi dhe ky zotëri duhet ta dijë se ky kod është kod tradite. Zonjës, që u bë zëdhënëse e tij, i them se andej nga ajo e ka origjinën, ata e caktojnë vetë se sa e qajnë të vdekurin dhe sa e mbajnë të vdekurin. Ja që ndodhi që nëna e këtij qytetari të nderuar ishte varrosur sipas të gjitha përcaktimeve. Por kjo i duhej Edi Ramës, sepse pasioni i tij i manipulimit me vdekjen është i papërmbajtur”, theksoi Berisha.

Librazhd, bora 1.5 metër bllokon fshatrat malore

Shtëpi e mbuluar nga bora në Librazhd

LIBRAZHD – Dëbora vazhdon të mbajë të bllokuar një numër të konsiderueshëm të fshatrave të Librazhdit, siç janë ato të komunës Stëblevë, si edhe Qarrishtë të këtij rrethi. Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, deklaron se “pritet që mesditën e sotme të vijnë nga Tirana dy mjete ushtarake me ushqime nga rezervat e shtetit për t’iu shpërndarë banorëve, të cilët janë të bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës”. Mësohet se trashësia në zonën malore të Librazhdit ka arritur në një metër e gjysmë, ndërsa nënprefekti i Librazhdit, Arianit Leka, deklaron se pas ngarkesës së parë me mjetet e ushtrisë, sërish një ngarkesë tjetër me ushqime nëpërmjet ajrit me helikopter do të vijë në ndihmë të këtyre banorëve. Në Librazhd ishte dje i pranishëm, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave, edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka deklaruar se “situata në zonat malore të Librazhdit është kritike, por jo e papërballueshme. I kemi të gjitha kapacitetet për përballimin e situatës”.

Librazhd, dëmtohet çatia e shkollës
Trashësia e dëborës, e cila ka arritur rreth një metër e gjysmë në fshatrat malore të rrethit të Librazhdit, ka shembur çatinë e shkollës 9-vjeçare të fshatit Prevall. Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile bëjnë të ditur se fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, pasi në momentin që çatia e kësaj shkolle u shemb, aty nuk ka pasur nxënës, pasi mësimi në këtë zonë ka më se dy javë që është ndërprerë si pasojë e motit të keq. Deri në rregullimin e çatisë duket se për shumë kohë 120 nxënës të shkollës së fshatit Prevall do të jenë të detyruar të mbeten pa mësim.

Prefekti i Dibrës: Emergjencat, nën kontroll
DIBER – Prefekti i qarkut Dibër, Genci Sharku, tha për gazetën “Panorama” se Shtabi i Emergjencave Civile pranë prefekturës po ndjek nga afër situatën e krijuar për shkak të reshjeve të dëborës në rrethet Dibër, Bulqizë e Mat. Sot do të nisin ndihmat ushqimore në dy rrugë, nëpërmjet ajrit me helikopter, aty ku mundësohet lëvizja e tyre, si dhe me makinat e ushtrisë që janë dislokuar në qytetin e Burrelit.

Romët e Dibrës: Ku të mbledhim kanaçe?
Interesant duket shqetësimi i romëve të Dibrës dhe Bulqizës. Shumë prej tyre, si mjet kryesor mbijetese kanë pasur kanaçet e pijeve freskuese. Çdo ditë ata zinin radhë pranë lokaleve të shumta të Peshkopisë dhe Bulqizës dhe prisnin me ankth nxjerrjen e tyre nga pronarët e lokaleve në kazanët e plehrave. Mirëpo, nga fillimi i këtij muaji kazanët janë mbuluar nga bora dhe nxjerrja e kanaçeve prej tyre është e pamundur. Po ashtu lokalet tani nuk janë frekuentuar dhe mungojnë kanaçet që ushqejnë romët e këtyre qyteteve.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura