
Kreu i maxhorancës, Sali Berisha është shprehur i gatshëm të takojë kundërshtarin e tij politik, Edi Rama. Por, nga qyteti i Vlorës, Berisha ironizoi deklaratat e kreut të PS-së lidhur me takimin që ai kishte zhvilluar me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule.
“Unë ju them se jam i gatshëm në çdo kohë, se tani ai nxjerr pretekstin se jemi kthyer, se ne jemi takuar me aleatët, por po të jetë puna për aleatët, Dule deri dje ishte aleati ynë dhe historiku i PBDNJ-së është historiku si një parti e atyre përmasave që ka ndërruar tagrin, por është më shumë e spektrit të djathtë, se asaj të majtë, dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk do të takohesha me zotin Rama, por ta marrë ai për fyerje se u takua me Vangjel Dulen, ky është një inat që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën dhe politikanët”, theksoi më tej Berisha.
Sipas tij, “sot takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po çfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si Kryeministër jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës, që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por, në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të pasur një proces të suksesshëm, urdhëro zotëri dhe më thuaj cilat janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori, kjo është të nisesh nga klisheja e armikut”.
Ndërkaq, kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama pritet të kenë nje takim diten e diel.
© Panorama.al











