Kryeministri Sali Berisha vendos t’i ofrojë maksimumin opozitës, me qëllim dhënien fund të bojkotit ndaj Parlamentit.Kreu i maxhorancës tha dje në Grupin Parlamentar të PD-së se është i gatshëm t’i ofrojë opozitës të propozojë krerët e të gjitha institucioneve që duan tre të pestat e votave në Parlament si dhe çdo ndryshim të mundshëm për reformën zgjedhor. Pavarësisht ndryshimeve Kushtetuese, duket se në këtë propozim të kreut të qeverisë përfshihet edhe posti i Presidentit, i cili duhet të zgjidhet vitin tjetër. Kreu i shtetit kërkon tre të pestat e votave në tri raundet e para të votimit dhe vetëm nëse nuk zgjidhet kush, atëherë Presidenti zgjidhet në raundin e katërt apo të pestë me shumicë të thjeshtë. “Uroj dhe dëshiroj që opozita të shqyrtojë me seriozitetin më të madh këtë ofertë edhe në kuadrin e mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian. Jam i bindur se është interesi më i mirë i çdo force politike dhe i çdo qytetari, pavarësisht nga bindjet e tij, që të angazhohemi me vepra dhe jo me fjalë për të adresuar çdo problem që lind në mënyrën më transparente. Uroj, dëshiroj, dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet, me 3/5 do të ketë të drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe maxhoranca t’i votojë”, tha Berisha. Në këtë propozim të Kryeministrit duket se përfshihen të gjithë krerët e institucioneve, që, falë mandatit 7-vjeçar të tyre, do të duhet të zgjidhen këtë vjeshtë nga Parlamenti. Avokati i Popullit është në pritje, post që kërkon një shumicë minimale prej 84 votash në Kuvend. Por brenda këtij vitit do të duhet të zgjidhet edhe kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit si edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, të cilët duhet të propozohet nga Presidenti i Republikës për tu votuar me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Duket se maxhoranca është e gatshme që opozita të propozojë krerët e këtyre institucioneve dhe do t’i votojë ata në Kuvend me kushtin e vetëm që opozita të thyejë bojkotin dhe të japë votat e saj për disa ligje jetike për reformat, si ndarja e re administrative, ndryshimet në disa kode, por edhe për krijimin e Gjykatës Administrative. “Takimi i sotëm i Luksemburgut është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi, të çdo force politike të këtij vendi. Është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit”, përfundoi Berisha.
Votimet ne Kuvend
Krerët e institucioneve që do zgjidhen brenda kësaj legjislature
. Presidenti i Republikës
. Avokati i Popullit
. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (brenda vitit, me propozim nga Presidenti)
. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (brenda vitit me propozim nga Presidenti)
Ligjet me 3/5
. Gjykata Administrative
. Ndarja e re Territoriale e vendit (reforma administrative)
. Ndryshimet në Kodin Penal
. Ndryshimet në Kodin Rrugor
. Ndryshimet në Kodin Civil
. Ndryshimet në Kodin Doganor
ERALD KAPRI
© Panorama.al











