
Kryeministri Sali Berisha, gjatë ceremonisë përkujtimore në nderim të viktimave të Holokaustit, në një seancën të posaçme në Parlament, theksoi se Shqipëria do t’i bashkohet nismës së Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, për krijimin e një bordi kundër mizorive të gjenocidit. Shefi i qeverisë theksoi se në ditët e sotshme ka shtete që kërcënojnë demokracitë e konsoliduara, siç është Izraeli. “Presidenti amerikan, Barak Obama, në javën e nderimit të viktimave të Holokaustit, shpalli se do të krijonte Bordin kundër mizorive dhe gjenocidit. Ai ftoi kombe të tjera që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Shqipëria do t’i bashkohet kësaj nisme. Kjo është mënyra më e sigurt që shpirtrat e atyre që ranë si viktima të një doktrine raciste, të ndriçojnë mendjen e njerëzve të qytetëruar dhe barbari të tilla të mos përsëriten më. Kjo është mënyra më e mirë për të garantuar se doktrinat raciste nuk kanë të ardhme. Sërish sot, në Europë, antisemitizmi shfaqet në forma nga më të egrat dhe më të ndryshmet. Sërish sot ka shtete që kërcënojnë të fshijnë nga faqja e dheut njërën nga demokracitë më të konsoliduara të planetit, Izraelin. Por sot ka një vetëdije tjetër njerëzore, ka një vetëdije tjetër qytetare. Sot, pësimet e mëdha të diktaturave janë drita dhe mësimi më i madh për të ndërtuar një të ardhme në liri”, u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Holokausti kërkonte zhdukjen e një race fisnike. “Holokausti është akti më barbar në memorien e qytetërimit, ai u bazua në doktrinën raciste të nazistëve mbi epërsinë e racës së tyre ariane dhe kërcënimin e kësaj race nga raca të tjera inferiore, në krye të të cilave, sipas çmendurisë së tyre, renditej njëra prej racave më fisnike të njerëzimit, ajo e hebrenjve”, u shpreh Berisha gjatë seancës së djeshme.
Topalli: Nuk lejuam shfarosjen
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se Shqipëria ishte ndër vendet që nuk lejuan që hebrenjtë të shfaroseshin. “Por, që të jemi të sinqertë, edhe në Shqipëri jo të gjithë e dinë çfarë kanë bërë shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar hebrenjtë që jetonin apo kishin ardhur në Shqipëri për të shpëtuar nga përndjekja e urrejtja e pakuptimtë e kohës”, theksoi Topalli.











