Berisha: Gati të takohem me Edi Ramën për reformat

Jul 3, 2012 | 13:12
Dje në Grupin e PD

Kryeministri i bën apel opozitës për të mbyllur ndryshimet në Kod.

“PS do kokën e Ristanit, por ai është personalitet i vendit”

Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje i gatshëm të takohet me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për t’i dhënë dorën e fundit reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, që janë ende duke u diskutuar nëpër komisione.
Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, kreu i Ekzekutivit i bëri apel kundërshtarit të tij politik të heqë dorë nga ultimatumet për të gjetur sa më shpejt konsensusin për Kodin Zgjedhor. “Ne kaluam një proces shumë të rëndësishëm për vendin, pavarësisht se nuk u arrit në një konkluzion konsensual, por konsultimet e bëra ishin, për mendimin tim, ndër më të vyerat. Pra ishte një proces që kaloi në një shkëmbim të gjerë mendimesh, kështu që edhe për reformën unë jam i gatshëm që ta takoj zotin Rama, në qoftë se ka qoftë edhe dyshimin më të vogël te qëndrimi i sinqertë i yni dhe vendosmëria jonë për ta zgjidhur problemin”, u shpreh Kryeministri. Në të njëjtën kohë ai mori në mbrojtje KQZ-në dhe kryetarin e këtij institucioni, Arben Ristani, pas sulmeve të ardhura nga opozita së fundi. Sipas Berishës, Ristani është një nga personalitetet e shquara të vendit. “Tani përballemi me një fenomen të veçantë, fenomeni unik që të krijon përshtypjen ndonjëherë se në këtë proces nuk kërkohet ligji, por kërkohen kokat në tepsi, d.m.th., në çdo rast kryetari i PS sulmon dhe demonizon në mënyrën më të papranueshme kryetarin e KQZ-së dhe në qoftë se ju do të krahasoni sulmet që i ka bërë ai Arben Ristanit me sulmet që i bën ai Lulzim Bashës, ju garantoj se sulmet që i bën Arben Ristanit janë disa herë më të mëdha. Nuk është Arben Ristani që i bind qytetarët e Tiranës, është Lulzim Basha, prandaj i them zotit Rama: mos u merr me kokat, të merren me ligjet, se Ristani është një nga personalitetet më të shquara dhe më të ekuilibruara të vendit”, u shpreh më tej kreu i maxhorancës.

Ali Pasha
Duke u ndalur te qëndrimi i opozitës, të cilin e quajti sulm për prerje kokësh, Berisha gjeti rastin për të shprehur qëndrimin e tij edhe për eshtrat e Ali Pashë Tepelenës. “Kokat në tepsi kanë mbetur nga një periudhë tejet e hershme, kur priteshin kokat, dhe shqiptarët mbajnë mend vetëm kokën e Ali Pashës, që në fakt duhet të bëjmë ç’është e mundur që ta kthejmë në Shqipëri dhe ta bashkojmë me trupin, sepse nuk ka pse mbetet trupi në Janinë dhe koka në Stamboll”, deklaroi Kryeministri në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Bllokimi
“Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që ta mbyllim këtë reformë dhe reformat që na kërkohen në afatin më të shkurtër dhe në interesin më të mirë të vendit. Nuk mundet kategorikisht t’i mashtrosh shqiptarët, se përgjegjësinë e ka qeveria kur ti bllokon. Jo, shqiptarët e kanë parë të qartë si dritën e diellit vullnetin e palëkundur të Sali Berishës për të bërë kompromis. Ne e kemi faktuar këtë në mënyrën më të përsëritur”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha para deputetëve demokratë.

Gjiknuri: Berisha kërkon të ruajë Ristanokracinë

Damian Gjiknuri

Bashkëkryetari socialist i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, reagoi dje pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat lidhur me reformën zgjedhore dhe sulmet që opozita i bën kreut të KQZ-së, Arben Ristani. Për sekretarin socialist për Çështjet Zgjedhore, mbështetja që kreu i maxhorancës i bën Ristanit ka si qëllim mbajtjen në këmbë, sipas tij, të mënyrës se si ka funksionuar deri sot Komisioni i Zgjedhjeve. “Berisha, duke i thurur lavde Ristanit, kërkon koncesione duke tregtuar një ‘skrap’ që i skadon afati në dhjetor të këtij viti. Ristani është tashmë ‘skrap’ dhe s’ka shanse të riciklohet në KQZ. Duke refuzuar formulën e re të KQZ-së, Berisha kërkon të ruajë jo ‘skrapin’ Ristan, por Ristanokracinë në krye të Zgjedhjeve. Ky është problemi i vërtetë që ka Berisha, por dhe zgjedhjet në Shqipëri”, u shpreh dje në adresën e tij në Facebook, Gjiknuri.

Eugen Volfarth: “Të mbyllet reforma zgjedhore”
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, apeloi dje ndaj klasës politike që të përmbyllë sa më parë reformën elektorale, në mënyrë që KQZ-ja të ketë kohën e mjaftueshme në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme. Volfarth vlerësoi punën e bërë nga Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, por sipas tij, tani është momenti që të preket finishi. “Vija e finishit është afër – por vetëm për ata me vullnet politik. Megjithatë, çdo reformë e miratuar në fund duhet të kërkojë konsensusin më të gjerë të mundshëm dhe duhet të jetë në gjendje t’i rezistojë sprovave të kohës”, deklaroi Volfarth.

Topalli: Parlamenti po mbyll punimet, përfundoni reformën
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, shfrytëzoi dje aktivitetin me temë “Trashëgimia zgjedhore europiane: dhjetë vjet të Kodit të Praktikës së Mirë për çështjet zgjedhore”, për t’i bërë thirrje opozitës që së bashku me maxhorancën të mbyllin reformën zgjedhore. “Edhe gjatë muajve të fundit, bazuar në dokumentin e praktikave të mira zgjedhore dhe në rekomandimet e ODIHR-it, në Komisionin e Reformës Zgjedhore është bërë një punë e madhe dhe e vlerësueshme. Tani është finishi dhe kjo punë duhet të mbyllet. Nuk ka kohë për të humbur. Ftoj njerëzisht që ajo çka ka mbetur, të përfundohet shpejt. Sesioni po shkon drejt mbylljes”, tha Topalli. Sipas saj, e njëjta gjë duhet bërë edhe me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura