TIRANË- Fuqizim të sektorit privat, rritjet e kreditimit përmes sistemit të mikrokredive dhe nxitje e sipërmarrjes si kusht për shkëputjen e njerëzve nga varfëria.
Kështu ka deklaruar kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në konferencës së Fondit Europian për Europën Juglindore, duke kërkuar mbështetjen e fondit dhe institucioneve të tjera ndaj qeverisë në këtë hap të ri të orientimit ekonomik.
“Do fillojmë sistemin e mikrokreditit me nobelistin, jam i bindur se fondi dhe institucione të tjera do të bashkëpunëojnë dhe më përfaqësues të tij që të shtrijnë këtë mundësi në ekonominë shqiptare për nxitjen e biznesit të vogël.
Kulmi i krizës ka kaluar, por borxhet janë bërë si fantazma financiare dhe kjo detyron dhe imponon qëndrim të ri, kërkon që qeveritë të bëjnë cdo gjë për dominuar dhe ulur ato, për vendin ka një rrugë, fuqizimin e sekrorit privat, kreditimi i tij më i madh”-tha Berisha.
Kryeministri kujtoi edhe njëherë se përvoja e shkuar me krizën globale dëshmoi se vendi ynë ka një model të suksesshëm ekonomie, pasi modeli i një ekonomie të vogël por që ia doli të përballojë me sukses pasojat e rënda të krizës ekonomike dhe financiare ekonomike dhe botërore. “Modeli ekonomik i vendit tim bazohet kryesisht në një qeveri të vogël dhe mendoj se fakti që ky vend në kohën e krizës më të madhe u gjet në më pak se gjysmën në një sektor publik 50% më të vogël se vendet fqinjë në të gjitha analizat ishte një avantazh serioz”- tha ai.
Sipas Berishës, qeveria beson në taksat e ulëta sepse është e bindur se paratë në kontot e afaristëve, sipërmarrësve privatë janë më të dobishme për shoqërinë se ato në duart e shtetit dhe qeverisë.
Ai kujtoi edhe punën e mirë të bërë nga bankat në vend, të cilat vepruan me maturi të madhe, seriozitet dhe jashtë panikut.
© Panorama.al











