Berisha fton biznesin australian në Shqipëri

Feb 3, 2012 | 20:49

MYNIH- Kryeministri Sali Berisha ka ftuar investitorët australianë që të shfrytëzojnë potencialet e Shqipërisë, duke investuar këtu.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Australisë, Kevin Rudd, kreu i qeverisë paraqiti të gjitha mundësitë që Shqipëria ofron për investime, në fusha si  sektori energjetik, minerar, hidrokarburet, turizmin, etj.

Berisha tha se pavarësisht krizës financiare dhe ekonomike botërore dhe veçanërisht asaj në Eurozonë, Shqipëria ka vazhduar të njohë rritje ekonomike, duke renditur si arsye bazë për këtë, reformat strukturore për liberalizimin e ekonomisë, të ndërmarra me kohë nga qeveria shqiptare.

Nga ana e tij, ministri Rudd, i ka bërë me dije kryeministrit Berisha planin për të vizituar Shqipërinë në muajt e ardhshëm. Ai tha se do të shoqërohet me përfaqësues të  kompanive australiane të interesuara për të investuar në Shqipëri.

Kryeministri Berisha u takua me ministrin e Jashtëm të Australisë, Rudd në Mynih të Gjermanisë, ku prej ditës së sotme po qëndron për të marrë pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, e cila zhvillohet deri në datën 5 shkurt.

© Panorama.al

Te lidhura