Berisha: Fqinjët të çlirohen nga doktrinat raciste

Jul 9, 2012 | 9:50

TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha ka përsëritur sot angazhimin e qeverisë që drejton për bashkëpunim të  ngushtë me fqinjët, bashkëpunim ndërshqiptar si kusht për integrimin rajonal dhe evropian dhe i ka bërë thirrje fqinjëve të clirohen nga doktrina e vjetër ksenobofe, raciste e antishqiptare.

Deklarata është bërë gjatë fjalës së tij mbajtur në konferencën kombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”.

“Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësira dhe dhimbje të mëdha sa kombi ynë, por është kombi që mbështet më shumë integrimin në BE si të ardhmen më të mirë për të. Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri rrugë është për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj milje drejt BE ka një rëndësi të madh, drejt NATO për Kosovën dhe Maqedoninë e Malin e Zi ka rëndësi të madhe për cdo shqiptar, po ashtu edhe clirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste antishqiptare”- tha Berisha.

Ai solli në kujtesë ato skena gjatë zgjedhjeve serbe në Presheve, duke theksuar se  ishin të ngjashme me ato në vitet ’50 me ekspeditat e Milloshevicit kundër shqiptarëve të bazuara në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre.

“Shqipëria bashkëpunon ngushtë me fqinjët në luftën kundër kriminalitetit, për vendosjen para drejtësisë së kriminelëve, por nuk pranojnë skena të atilla”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura