
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se vendet fqinje duhet të çlirohen nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste dhe antishqiptare. Kreu i qeverisë këtë apel e beri dje gjatë Konferencës Ndërkombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”, i organizuar në Tiranë nga programi i Universitetit të Kolumbias dhe i mbështetur nga Bashkia e kryeqytetit. Gjatë fjalës së tij Berisha i siguroi të pranishmit se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë me fqinjët, për një bashkëpunim të ngushtë ndërshqiptar dhe se ky bashkëpunim është një kusht për integrimin rajonal dhe europian. “Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri ka mbetur rrugë për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj rruge, i kësaj miljeje drejt BE-së, ka një rëndësi shumë të madhe. Përshkrimi i kësaj rruge drejt NATO-s për Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi, ka një rëndësi të madhe për çdo shqiptar. Sikundër dua të theksoj se është e një rëndësie shumë të madhe çlirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste, antishqiptare. Ato skena që pamë gjatë zgjedhjeve në Serbi, në Preshevë, ishin të ngjashme me skenën që unë kisha parë në vitet ‘50, të ngjashme me ekspeditat që organizonte Millosheviçi kundër shqiptarëve, të bazuara fund e krye në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre”, theksoi kreu i qeverisë. Berisha e vlerësoi konferencën duke thënë se prej vitesh ka pasur hezitime për një dialog të tillë, pasi ekzistonte frika nga shqiptarët.
Basha: Bashkëbisedim pa komplekse
Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm dje në konferencën “Fqinjët e Shqipërisë”, ka nënvizuar rëndësinë e një bashkëbisedimi të hapur për çështje të rëndësishme që do të ndikojnë jo vetëm në të ardhmen e shqiptarëve në Europën Juglindore, por të krejt Ballkanit. “Për mua, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të shqiptarëve, kryeqendrës të Shqipërisë, ishte e qartë se një bashkëbisedim i hapur dhe pa komplekse mbi këto çështje, do të ishte një hap i mirë, një hap i parë i mirë, me përfitues jo vetëm të gjithë ata që ne përfaqësojmë sot në këtë dhomë, por edhe me një përfitim të drejtpërdrejtë për qytetin e Tiranës, një qytet që është rritur dhe zhvilluar me ritme të jashtëzakonshme 20 vitet e fundit”, tha Basha.
Majko: Nuk jemi kudo të lirë
Ish-kryeministri dhe deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, kërkoi të hënën rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes vendeve fqinje të rajonit të Ballkanit. Majko tha me tej se “pikëpyetjet dhe pikëçuditjet shumë të rëndësishme, e vërteta edhe historike, është se ne jemi akoma shumë të komplikuar brenda vetvetes. Jam shumë optimist se mënyra të tilla takimi janë të vlefshme për të ngjallur debat, por e rëndësishme është t’i themi njëri-tjetrit që jemi këtu. Ne mund të themi se shqiptarët janë kudo të lirë, por jo, nuk janë kudo të lirë. Në Preshevë statusi i shqiptarëve nuk është statusi i njerëzve të lirë; në Mal të Zi kemi ende probleme; në Maqedoni, falë fleksibilitetit të shqiptarëve, kemi një qeveri të qëndrueshme, dhe këto duhet t’i themi”, theksoi Majko në konferencën e djeshme.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











