
Krerët më të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni kanë përkujtuar dje 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Gjatë një ceremonie të zhvilluar në këtë qytet, Kryeministri Sali Berisha tha se ky organizim i shqiptarëve shënon ngjarjen më kulmore që pas luftërave të Skënderbeut. Ai iu drejtua sërish shteteve fqinje, duke iu kërkuar ndërtimin e një të ardhme të përbashkët. “Nga Prizreni, edhe njëherë dua të ftoj fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve, të lënë mënjane betimet mbi ne, se dhe të tjerë kanë bërë mjaft të tilla dhe ju kanë shkuar huq. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë atë të ardhme të cilën kërkojnë popujt tanë. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen europiane, si e ardhmja më e shkëlqyer e shqiptarëve, maqedonasve, malazezëve, serbëve, të gjithë banorëve të këtij gadishulli”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas Berishës, Lidhja e Prizrenit ishte kryengjarja që do t’u printe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në 134 vjet me radhë. “Sot, çdo shqiptar, kudo që është, përulet me nderimin më të thellë para këtij tempulli. Tempulli ku lindi kombi shqiptar si nocion politik, tempulli ku lindi ideali i bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, tempulli ku lindi ideali kombëtar, “Një komb, një qëndrim”, tempulli që do t’u ndriçojë rrugën shqiptarëve në të gjitha kohërat për të sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e tyre”, u shpreh Berisha. Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se “pavarësia e Kosovës i dha kuptim lidhjes dhe përpjekjes qindravjeçare të popullit shqiptar. Kombi nuk ka qenë kurrë më i fortë se sa në këtë 5-vjetor të pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ndërhyrja e NATO-s në vend korrigjoi një padrejtësi të madhe historike, prandaj edhe aspiratat tona të përbashkëta europiane janë të natyrshme”. Nga ana e tij, i mbërritur në Prizren nga Maqedonia, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se ashtu si në të shkuarën, shqiptarët duhet të ndjekin sërish rrugën e bashkimit për në Bruksel. “Nga gjaku i Prizrenit, Dibrës, Frashërit apo Vokshit, u transmetuan në dejet tona vendosmëria për liri. Këta burra, 134 vjet më parë bashkuan shqiptarët, nga Preveza e Arta në Jug e deri në Mitrovicë në Veri. Duke bërë për vete idealet e Lidhjes së Prizrenit, duhet të punojmë për të bashkuar të gjithë shqiptarët në Bruksel, në një Europë pa viza dhe të lirë për të gjithë bashkëkombësit tanë, pasi përveçse jemi shqiptarë, të gjithë ne jemi edhe europianë”, tha Ahmeti.
“Bashkimi kombëtar në Bruksel”
“Sot, kur Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë dhe synon t’i bashkëngjitet familjes së madhe europiane, kur Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe kur faktori shqiptar në Ballkan vazhdon të luajë rolin e vet vendimtar e moderator në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë, dëshiroj të vë në dukje gjithashtu se bashkimi ynë kombëtar, ashtu siç e dëshiruan stërgjyshërit tanë atdhetarë në Prizren para 134 vjetësh, do të ndodhë në Bruksel, në qendrën administrative të NATO-s dhe Bashkimit Europian!”, u shpreh dje Topi me një mesazh për 134-vjetorin e Lidhjes.
ADI SHKEMBI











