Berisha, FMN-së: Rritja jonë ekonomike do mbështetje

Jun 28, 2012 | 18:07
Berisha pret përfaqësuesin e ri të FMN për Shqipërinë, Nadeem Llahi

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka pritur sot përfaqësuesin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtarë në Shqipëri, Nadeem Llahi.

Duke i uruar mirëseardhjen, kryeministri Berisha theksoi se, institucionet financiare ndërkombëtare si FMN, BB, IFC, EBRD etj., duhet të tregojnë kujdes me vendet jashtë eurozonës si Shqipëria e të gjejnë mekanizma për të mbështetur performancën e mirë ekonomike me rritje edhe në kohe krize e me ekuilibër të mirë makroekonomik e financa publike të stabilizuara.

Kryeministri tha, se Shqipëria krijoi një sektor bankar privat të kapitalizuar mirë bankash bija, që po vuajnë pa të drejte efektet e sjelljes jo të shëndetshme të bankave mëma të zonës euro.

Bankat, u shpreh Kryeministri, duhen mbështetur të përdorin kapitalet  e tyre të kreditojnë sektorin privat, pasi ndryshe nga ai i vendeve euro ka performuar me sukses, duke mbajtur stabël vendet e punës e madje duke i rritur në mënyre të moderuar, duke sjelle projekte për ekonominë reale me produkte potenciale, që kanë një treg të garantuar.

Nga ana e tij, Llahi shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm dhe për të kontribuar në mbarëvajtjen e mëtejshme të financave dhe ekonomisë shqiptare.

Përfaqësuesi i ri i FMN_së në Shqipëri, Nadeem Llahi shoqërohej në takim nga paraardhësi i tij, Gerwin Bell

© Panorama.al

Te lidhura