Berisha: Firmosim çdo pakt kundër krimit

Feb 1, 2012 | 11:38

Berisha e Starmer

“Vlerësim Kryeministrit për mbështetjen ndaj organeve ligjzbatuese”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij drejtorin i Prokurorisë Publike në Angli dhe Uells, Keir Starmer. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh i gatshëm për të nënshkruar çdo marrëveshje për të rritur efikasitetin e luftës ndaj krimit të organizuar. Sipas zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave: “Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Starner për ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin në prioritetin e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Ai theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar bashkëpunimin në këtë drejtim. Në këtë kuadër, Kryeministri tregoi gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për nënshkrimin e çdo marrëveshjeje dhe krijimin e kornizës së nevojshme që do të rriste efikasitetin në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe veprimtarive të tjera të paligjshme”. Nga ana e tij, zyrtari i lartë britanik vuri theksin te bashkëpunimi shumë i mirë midis dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. Ai vlerësoi gjithashtu vullnetin politik të Kryeministrit dhe qeverisë së tij në mbështetjen e dhënë ndaj organeve ligjzbatuese në këtë bashkëpunim. “Zoti Starmer e falenderoi Kryeministrin Berisha për takimin dhe shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.  Ai vlerësoi vullnetin politik të kryeministrit dhe qeverisë së tij në mbështetjen e dhënë ndaj organeve ligj zbatuese në këtë bashkëpunim”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Topi: Bashkëpunim mes dy vendeve
Presidenti Topi dhe drejtori i Prokurorisë britanike, Starmer, vlerësuan bashkëpunimin dypalësh në drejtim të funksionimit efikas të strukturave të drejtësisë në vend. Kryetari i shtetit vuri në dukje interesimin e palës shqiptare që “bashkëpunimi mes strukturave partnere të drejtësisë në dy vendet tona të konsolidohet më tej në të ardhmen, në kuadër edhe të sfidave integruese me të cilat po përballet Shqipëria, ku një ndër kriteret kryesore për arritjen e kësaj aspirate madhore janë edhe reformat e duhura në sistemin e Drejtësisë”.

© Panorama.al

Te lidhura