Kryeministri Sali Berisha firmosi dje vendimin e qeverisë të pak ditëve më parë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli, deklaroi se me këtë rritje realizohet premtimi i qeverisë për pagat dhe pensionet, duke shtuar se Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Europë. Sipas Mëhillit, rritja e pagave dhe pensioneve u bazua te të ardhurat tatimore. “Qeveria nuk ka marrë borxhe për rritjen e pagave dhe pensioneve”, deklaroi zëdhënësja Mëhilli. Pensionet dhe pagat në sektorin publik u rritën duke filluar nga data 15 korrik. Ndërkaq, si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot, qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve. RRITJA E PAGAVE Qeveria miratoi dje zyrtarisht rritjen mesatare prej 5% të pagave dhe pensioneve. Konkretisht, mbi bazën e kësaj rritjeje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26.831 lekë (njëzet e gjashtëmijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59.235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. “Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22.771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50.563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22.683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58.098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë, krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15.044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35.618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Ndërkohë, paga mesatare e punonjësve të Policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30.655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55.944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22.554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35.122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë, krahasuar me vitin 2005”, u shpreh zëdhënësja e Kryeministrit.
Beqja: Rritja e pagave vetëm në letër, taksat për arredimin e vilave
Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, ka reaguar dje pas firmës nga Kryeministri Sali Berisha të rritjes së pagave dhe pensioneve me 5%. Sekretari i PS-së deklaroi dje se qeveria, me rritjen e pagave dhe paraqitjen e saj si një sukses, po tenton të fshehë një sërë dështimesh që kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve dhe uljen e konsumit të produkteve të shportës. Duke bërë krahasimin e taksave që paguan Kryeministri, Ilir Beqja deklaroi se kreu i qeverisë paguan sot 7 mijë lekë më pak taksa se sa në vitin 2005, barrë që sipas tij është rënduar në kurriz të shtresave të tjera, si mësuesit, infermierët dhe policët. Sipas socialistëve, punonjësve të administratës i është hequr e drejta për të marrë pagën e 13-të në fund të vitit dhe se taksat përdoren për arredimin e rezidencave qeveritare. “Sot, Saliu paguan çdo muaj 7 mijë lekë më pak taksa, se sa paguante në shtator 2005, kur u ul në karrigen e Kryeministrit. Një mësues, që në shtator 2005 paguante 550 lekë taksa në muaj, tani paguan 6 mijë lekë taksa në muaj. Pra, një mësues paguan 11 herë më shumë taksa, sepse Saliu vendosi të zbatojë taksën e sheshtë. Në 2005-n, një mësues paguante taksa sa 2% e pagës, ndërsa Saliu sa 13 % të pagës. Pra, 6.5 herë më e ulët ishte shkalla tatimore në 2005-n, ndërsa tani edhe Saliu, edhe mësuesi, infermieri, punonjësi i Policisë taksohen njësoj. Në 2005-n, një mësues merrte edhe pagën e 13-të, ndërsa sot edhe pagën e 12-të duhet ta paguash taksa që Bujari të ketë pallat të ri presidencial, që Saliu të rregullojë rezidencën qeveritare në Vlorë, ndërsa Ridvani të ndërrojë kolltukët e zyrës”, deklaroi ish-deputeti i PS-së. Për Partinë Socialiste, përmirësimi i nivelit të jetesës do të mund të realizohet vetëm me zbatimin e programit të PS-së “Për Një Rilindje Shqiptare”. “Që të përmirësohet niveli i jetesës së shumicës së familjeve shqiptare, lypet një rilindje e Shqipërisë. Programi i Partisë Socialiste ‘Për Një Rilindje Shqiptare’ do e heqë taksën e sheshtë dhe do e zëvendësojë me taksimin e ndershëm, që do të vendosë drejtësinë sociale dhe do të fuqizojë shtresën e mesme. Falë taksimit të ndershëm, ata që kanë të ardhura më të ulëta do të paguajnë më pak. 90% e shqiptarëve do të përfitojë nga ulja e taksave”, u shpreh sekretari i PS-së për Programin. Ndërkaq, Beqja thekoi se rritja e pagave mbetet në letër dhe një mburrje e qeverisë. “Pagat, që Saliu mburret se ka firmosur sot(dje), në fakt duhet të ishin paguar që para tri javësh. A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit e Policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005-n. Që konsumi i familjeve shqiptare ka rënë, këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare”, theksoi Beqja.
Rritja e pagave me paratë e tatim-taksave
Edhe pse situata ekonomike e vendit është në ditë të vështira, rritja e pagave dhe pensioneve është bërë pa prekur borxhin dhe deficitin e qeverisë. Sipas të dhënave, paratë për shtesën e rrogës së administratës, mjekëve dhe mësuesve, kanë ardhur nga rritja e të ardhurave nga tatimet dhe taksat. Edhe të dhënat e 7-mujorit konfirmojnë se janë të ardhurat nga taksat e tatimet ato që po mbulojnë të gjitha shpenzimet e administratës dhe një pjesë të investimeve. Kështu, për 7 muajt e parë të vitit, shpenzimet për investime ishin 317 milionë USD, ndërsa borxhi i qeverisë për të mbuluar deficitin ishte 210 milionë USD. Pra, paratë e mbledhura nga Tatim-Taksat kanë mbuluar jo vetëm shpenzimet për paga dhe pensione e shpenzime të tjera operative, por 100 milionë USD janë përdorur edhe për investime. Shifrat, në këtë periudhë të ekonomisë, flasin qartë për një performancë të mirë të mbledhjes së të ardhurave, si dhe administrimit të buxhetit. Edhe rritja e re e pagave dhe pensioneve është bërë në sinkron me rritjen e të ardhurave nga tatimet e doganat, duke bërë që borxhi i ri të përdoret vetëm për investime. Një ndër pikat e dobëta të qeverive, që tregon krizën ekonomike, është kur paratë e taksave nuk mbulojnë dot shpenzimet e qeverisë. Të paktën deri tani, duket se në Shqipëri, kjo nuk po ndodh.
© Panorama.al











