
Kryeministri Berisha ka emëruar dje Eduard Halimin si ministër Drejtësie dhe Aldo Bumçin si ministër Kulture.Dje në mesditë, Kryeministri i propozoi Presidentit të Republikës dekretet për emërimin e dy ministrave të rinj të kabinetit të tij qeveritar, dekretim që pritet të bëhet shumë shpejt. Deputeti Eduard Halimi do të jetë ministri i ri i Drejtësisë, duke zëvendësuar vendin e lënë bosh nga ministri Bujar Nishanin, aktualisht ministër i Brendshëm, pas kandidimit të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës. Ndërsa vendin e Ferdinand Xhaferrit, ish-ministrit të Kulturës, i cili kandidoi për Bashkinë e Durrësit më 8 maj, do ta zërë Aldo Bumçi, i cili do të jetë tashmë në krye të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Vendimi i djeshëm i Kryeministrit erdhi pas opinioneve se ndryshimet në qeveri, bashkë me plotësimet e vendeve vakante të ministrave, do të bëheshin në vjeshtë, kur të niste dhe sesioni i ri parlamentar.
Nëse Presidenti i Republikës do të firmosë sot dekretet për ministrat e rinj, mundet që Halimi dhe Bumçi të votohen në Parlament gjatë seancës së të enjtes e më pas të bëjnë dhe betimin në Presidencë. Eduard Halimi kthehet në Ministrinë e Drejtësisë, pasi shërbeu në këtë Ministri zi zv. ministër gjatë periudhës 2005-2008, për të punuar më pas deri në 2009-n si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit. Halimi ishte një nga ekspertët ligjorë më aktivë gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit, ndërsa shoqëroi nga afër grupin e avokatëve të PD-së në procesin e ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Ndërsa Aldo Bumçi, me një përvojë të rëndësishme në Ekzekutiv, ministër i Drejtësisë gjatë periudhës 2005-2007, rikthehet në kabinetin qeveritar si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, një përvojë e re për të. Në krye të degës së Partisë Demokratike të Tiranës, Bumçit i njihet edhe suksesi i kësaj strukture në zgjedhjet vendore të 8 majit, kur PD pas 11 vjetësh rimerr Bashkinë më të madhe të vend.
Dekretimi i Ministrave
Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
Neni 99
Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.
Mblidhet Këshilli Kombëtar, PD zgjedh të shtunën kryesinë e re
Partia Demokratike do të mbledhë Këshillin Kombëtarnë fundjavë. Në orën orën 10.00 të së shtunës, Këshilli Kombëtar, i dyti i këtij viti, do të bëjë zgjedhjen e forumit të lartë të tij, siç është kryesia, por nuk do të prekë zgjedhjen e nënkryertarëve dhe sekretarëve. Burime pranë selisë blu thanë dje se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të fokusohet kryesisht dhe në një analizë të rezultatit zgjedhor, duke u ndalur dhe në përgjegjësitë e të deleguarve në këto zgjedhje. Pritet që analiza të përqendrohet më shumë në ato bashki dhe komuna, të cilat konsiderohen bastione të së djathtës dhe në 8 maj pati ndryshim të rezultatit, duke nxjerrë të majtën fituese. Mbledhja e fundit e këshillit Kombëtare u zhvillua në muajin shkurt ku shpalli dhe kandidatin zyrtar të maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën. Por ndryshe nga ç’pritej, selia blu nuk do të merret me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe sekretarëve të PD-së, duke ia lënë këtë proces një faze tjetër. Që prej kongresit zgjedhor të 2009, PD kishte shtyrë vazhdimisht mbledhjen e këshillit kombëtar i cili do të zgjidhte forumin e kryesisë. Rezultati i zgjedhjeve të 2009 por dhe ai i 2011 për pushtetin vendor, pritet të reflektojnë dhe në përbërjen e kryesisë së re të PD-së. Kryesia e Partisë Demokratike përbëhet nga 25 anëtarë.
Komisioni i mediave shtyn ligjin për TV
Komisioni Parlamentar i Medias ktheu mbrapsht Ligjin për mediat elektronike, pasi ekspertët duhet të studiojnë 148 vërejtjet e OSBE-së. Deputeti socialist në këtë komision, Kastriot Islami, kërkoi që komisioni para se të miratojë këtë ligj, i cili është shumë i rëndësishëm për mediat televizive, duhet të marrë në konsideratë propozimet e OSBE-së, e cila monitoron nga afër këtë proces. Propozimi i Islamit, i cili kërkoi miratimin e tij dhe në prezencë të opozitës, bëri që diskutimi i projektligjit të shtyhet për në sesionin e ardhshëm parlamentar. Nënkryetari i këtij komisioni, Mark Marku, kërkoi miratimin e një grupi specialistësh që do të përfshijnë në draft propozimet e OSBE-së në këtë projektligj. “Ne të caktojmë grupin e specialistëve që të merren me implementimin e propozimeve të OSBE-së për këtë ligj”, u shpreh Marku.
Komisioni i ligjeve shtyn ligjin për titujt e pronësisë
Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, ndërsa do ta miratojë atë nen për nen pasi të jetë riparë nga qeveria ku do të përfshihen edhe amendamentet e deputetit Viktor Gumi. Ky ligj synon të rregullojë pronësinë e tokës bujqësore për të gjitha ato familje të cilat e kanë përfituar atë përmes ligjit 7501, por nuk kanë marrë ende një dokument pronësie, për shkak të vakumeve që ka ligji aktual. Gumi propozoi ndër të tjera që të mos ketë afat kohor të përcaktuar për shqyrtimin e ankesave nga komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë, afat që nga ligji i sjellë nga qeveria përcaktohej data 31 dhjetor 2012. Sipas Gumit, afati cenon parimin e barazisë para ligjit. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, nga verifikimi i titujve të pronësisë së tokave bujqësore, 35% e rasteve kanë pasur probleme paligjshmërie, gjë që kërkon një unifikim ligjor për çdo rast të diskutueshëm që ka çuar deri tani në mbivendosje apo përfitime përtej kufijve të përcaktuar të sipërfaqes. Ligji do të risillet në këtë komision në vjeshtë, me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











