Berisha e Basha, biznesit kinez: Ofrojmë lehtësira

May 9, 2012 | 17:51
Kryebashkiaku Basha gjatë takimit të djeshëm me investitorët kinezë

TIRANË- Lehtësi, potenciale të mëdha dhe shanse mjaft të mira për investitoret kinezë në projektet e tyre në vendin tonë. Me këto fjalë i janë drejtuar përfaqësuesve të 100 kompanive kineze, në forumin ekonomik Shqipëri-Kinë, kreu i qeverisë Sali Berisha dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.

Sipas Berishës Task Forca e mbledhur sot prej tij ishte për të jetësuar, konkretizuar bashkëpunimin në përputhje me këtë platformë me Republikën Popullore të Kinës, bashkëpunim që shtrihet në të gjitha fushat.

“Kryeministri kinez informoi të pranishmit se Kina ka përcaktuar një shumë prej 10 miliardë dollarë kredi për projektet, ngritjen e një fondi prej 500 milionë dollarë në mbështetje të këtij bashkëpunimi”- tha ai.

Berisha ka bërë me dije se shumë shpejt do të ngrihet instituti Konfuci”, ndërkohë që qeveria e tij ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe, ndërkohë kryeministri kinez ka ofruar vendeve të rajonit mijëra bursa për të përgatitur mësuesit për gjuhën kineze.

“Theksoj se ekziston një miqësi e thellë, e hershme mes dy vendeve tona. Shqipëria në mendjen e kinezëve është i dashur dhe i respektuar, por vend me potenciale të mëdha”- tha ai.

Ndërkohë kreu i bashkisë së Tiranës ka shprehur kënaqësi që është njohur në këtë panair me disa prej kompanive më në zë. “Në këtë delegacion ka kompani të mëdha të ndërtimit, infrastrukturës dhe shërbimeve që kanë interes të qartë në qytetin tonë, jeni në vendin e duhur në kohën e duhur. Tirana është më e re nga mosha e popullsisë në moshë punë, mbi 40% të PBB të vendit dhe ndodhet në zemër të Evropës”- tha Basha.

Sipas tij, këtë muaj do të shpaloset plani i ri urbanistik që bashkë me investimet strategjike do t’i japë shtysë ekonomisë së mbarë vendit. “Plani i ri urbanistik dhe ai i detajuar të bulevardit, tramit dhe terminalit janë disa prej projekteve kryesore me të cilat dalim sot para jush. Për nga impakti dhe mundësitë që do të hapin meritojnë vëmendjen tuaj. Ne ofrojmë kushte miqësore, licenca dhe leje me një ndalesë të vetme. Arsye kryesore pse ne mendojmë që ardhja juaj këtu është një ogur i mirë, keni ardhur për të qëndruar dhe ju siguroj se bashkia do e bëjë nisjen e investimeve sa më të lehtë e sa më të shpejtë”- tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura