Berisha: Duhani e ndotja nuk na nderojnë në shëndetësi

May 12, 2012 | 13:50
Gjatë konferencës së djeshme

Ndotja, duhanpirja, mungesa e specialistëve dhe një menaxhim i mirë i sistemit shëndetësor janë sot ndër problemet më të mprehta, me impakt madhor mbi shëndetin e shqiptarëve.
Ato u evidentuan dje gjatë konferencës së parë kombëtare për “Politikat shëndetësore” të organizuar edhe në bashkëpunim me OBSH. “Nuk mund të them se jemi të nderuar sot, kur jemi një nga kombet pasionantë të duhanpirjes, të këtij agjenti toksik, të faktuar nga dhjetëra, qindra, mijëra studime për dëmin e tij universal dhe jo vetëm në një grup sëmundjesh, por edhe në grupe të tëra sëmundjesh. Shqipëria është një vend në tërësi me indekse të ndotjes së ajrit ndër më të mirat, por problemi është se kjo mirësi vjen nga zona ku popullata është me një densitet dhjetëra herë më të rrallë sesa në kryeqytet, sesa në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë”, tha Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ai mbrojti idenë se situata nuk mund të përmirësohet vetëm duke rritur buxhetin, por duke ndryshuar mënyrën e menaxhimit të shërbimit shëndetësor për qytetarët. Edhe vetë drejtoresha e OBSH-së për Europën, Suzan Jakab, duket se mbeti e skandalizuar nga mënyra si zbatohet ligji antiduhan në vend. Duke dalë nga konferenca, ajo ka komentuar me përfaqësuesit e strukturave shëndetësore se mbetet e surprizuar për faktin që edhe në hotele, ku priteshin delegacione të huaja, pihej duhan fare lirshëm. Pavarësisht kësaj problematike të pranuar edhe nga Kryeministri,  Jakab vlerësoi lart arritjet e shënuara në sistemin shëndetësor shqiptar.

Ligji i ri i sigurimeve të shëndetit
Implementimi i ligjit të ri të sigurimeve të kujdesit shëndetësor ishte në qendër të fjalës së drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë konferencës së djeshme. Hana u shpreh se ISKSH po punon intensivisht për krijimin e kushteve për hyrjen në fuqi të ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, i cili tashmë është miratuar nga Parlamenti.

Jakab: Keni shënuar progres
Gjatë një konference të përbashkët për median në Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me ministrin Vasili, drejtoresha e OBSH-së për Europën, Suzan Jakab, ka vlerësuar lart arritjet e shënuara në sistemin shëndetësor shqiptar. Në fjalën e saj, ajo theksoi se reforma e ndërmarrë në shërbim të qytetarit është mbresëlënëse, ndërsa konfirmoi se vdekshmëria amtare dhe foshnjore në Shqipëri mbetet njëshifrore sipas të gjitha të dhënave zyrtare të OBSH.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura