Berisha: Do rrisim mbështetjen për bujqësinë

Sep 20, 2012 | 17:47
Foto Ilustruese

TIRANE- Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha premtoi sot se do të rritet mbështetja për prodhimet bujqësore, për ta kthyer agrobiznesin në një degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Deklarata e kryeministrit u bë në hapjen e Panairit Kombëtar Agrobiznesi dhe Turizëm 2012.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se  në zonat rurale janë investuar miliarda e miliarda dollarë , investimet do të vazhdojnë, gjersa çdo fshat i këtij vendit të ketë infrastrukturë moderne.

“Shqipëria është me tokën bujqësore më të pakët për frymë në Europë. Por, Shqipëria ka tokën më pjellore. Potencialet e tokës shqiptare janë të jashtëzakonshme. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që me projekte të rëndësishme të zgjerojë sipërfaqen e tokës së mbjellë. Ka tokë pak, por ka plot diell dhe ujë. Prodhimet e saj janë aromatike.”- tha kryeministri.

Prodhimi bujqësor është dhe mbetet i një rëndësie parësore, tha Berisha, duke shtuar se përqëndrimi tek bujqësia dhe prodhimet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme në performancën e një ekonomie.

Ky Panair organizohet për herë të parë në Tiranë dhe ka për qëllim prezantimin e ofertës turistike dhe rritjen e konkurueshmërisë se tregut ushqimor shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura