Berisha: Do respektojmë shtetin ligjor

Jun 4, 2011 | 10:39
Kryeministri Berisha dhe homologu hungarez, Orban

Kryeministri Berisha tha dje se do të respektojë të gjitha procedurat dhe vendimet ligjore të institucioneve.Gjatë një komunikimi të përbashkët për mediat me homologun hungarez Viktor Orban, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, Kryeministri shqiptar reagoi edhe njëherë në lidhje me numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Sipas tij, për numërimin e tyre është zbatuar vetëm ligji, ndërsa shtoi se është në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës, të cilin, sigurisht që do ta pranojë në respekt të ligjit. “Në Tiranë ishte një garë e ngushtë, por gara më transparente që vendi ka njohur. Garë në të cilën ju ndoqët numërimin e çdo vote. Çështja e votave në kutitë e tjera, numërimi i tyre, është një çështje themelore e ndërgjegjes. Kjo është praktika e vendeve të qytetëruara, kjo është praktika e vendeve që kanë një traditë 200-vjeçare në zgjedhje dhe një sistem drejtësie më të fortin, vetëm mbi këtë bazë dhe mbi bazën e ligjit shqiptar, i cili në të gjitha përcaktimet e tij nuk i përfshin këto vota në vota të pavlefshme, ne kërkuam numërimin e tyre. Në themelin e çdo sistemi, ligji bazë është numërimi i çdo vote. Sot është një gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje se shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Pra, në qoftë se ne mbrojmë bindjet tona, bindja jonë më e thellë është se një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa funksionimin e shtetit ligjor. Kështu që ne i qëndrojmë respektimit të plotë të vendimit të institucioneve edhe kur na pëlqejnë, edhe kur nuk na pëlqejnë”, u shpreh Berisha. I pyetur nga gazetarët rreth parimit për të numëruar votat e hedhura gabim në kutitë e tjera, Kryeministri hungarez sugjeroi ndjekjen e shembullit të Amerikës, të cilët, sipas tij, kërkuan vlerësimin e rezultatit zgjedhor përmes gjykatave. “Tani unë nuk dua që t’i fyej shqiptarët duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, por e vetmja gjë që mund të themi në parim, është, në të tilla raste, ju lutem, mund të bëni atë që kanë bërë amerikanët. Ka ndodhur njëherë, apo jo? E keni parë në televizor, unë e kam parë në televizor. Ju duhet t’i shikoni votat, t’i numëroni votat, fletët e votimit. Është gjë e mirë që edhe televizioni tashmë i trajton këto. Pas kësaj, ju duhet të mbështeteni rehat-rehat në karriget e kolltukët tuaja e t’i lejoni gjykatat të marrin vendimin përkatës. Kjo ndodhi në Amerikë. Më falni, por unë nuk kam ndonjë këshillë, sugjerim më të mirë sesa kjo praktikë amerikane”, u shpreh Kryeministri hungarez.

Orban: Opozita hungareze nuk mori rrogat kur bojkotoi Kuvendin

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka treguar dje gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Berisha përvojën në Parlamentin e tij të bojkotit të opozitës hungareze. I pyetur rreth qëndrimit për bojkot të socialistëve shqiptarë, Orban tha se të njëjtën situatë e ka ndeshur dhe në Kuvendin hungarez. “Në Hungari ne kemi pasur një rast, një histori interesante. Është kënaqësi për mua t’jua tregoj këtë histori. Bëhet fjalë për Kushtetutën e re që miratoi Parlamenti. Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia ime fitoi 2/3 e Parlamentit dhe ne ishim në gjendje të bënim ndryshimet përkatëse e të miratonim një Kushtetutë të re”, u shpreh Orban. Sipas tij, Parlamenti, që kontrollohej në shumicë nga partia e tij, nuk u pengua në miratimin e Kushtetutës së re, edhe pse opozita e bojkotoi atë proces. “Opozita donte të na bllokonte në këtë nismë, por nuk kishin forcën e nevojshme për të na bllokuar në këtë drejtim. Atëherë ata vendosën që të mos merrnin pjesë në procesin e amendimit dhe miratimit të kësaj Kushtetute. Kështu që ata dolën nga Parlamenti, nuk morën pjesë në mbledhje apo takimet e ndryshme. Por, në fund, ne e miratuam këtë Kushtetutë dhe kryetari i Parlamentit thjesht nuk i pagoi deputetët e opozitës, meqenëse ata nuk kishin marrë pjesë në këtë drejtim. Kjo është historia hungareze në këtë drejtim që unë desha t’jua tregoj ju”, u shpreh Kryeministri hungarez gjatë konferencës për mediat.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura