TIRANË- Në Shqipëri do të funksionojë një Komitet Diaspore, me synim lidhjet me diasporën, si dhe kultivimin e identitetit të saj kombëtar dhe promovimin e arsimimit në gjuhën amtare. Deklarata është bërë sot nga kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Diasporës së Republikës së Kosovës, zotin Ibrahim Makolli.
Në takim u rikonfirmua angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë dhe për të zhvilluar një përqasje të përbashkët ndaj diasporës shqiptare me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e identitetit dhe kulturës kombëtare, të lidhjeve të ngushta me diasporën.
Berisha duke njoftuar për ngritjen e komitetit deklaroi se ai do të ketë si përparësi të punës së tij bashkëpunimin e ngushtë me ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe me institucionet e tjera në vendet e rajonit, të cilat kanë si mision të tyre marrëdhëniet me shqiptarët jashtë atdheut.
Më tej, në takim u theksua rëndësia që shqiptarëve të diasporës tu krijohet sa më shpejtë mundësia infrastrukturore për të votuar në zgjedhjet demokratike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke ushtruar kështu një të drejtë kushtetuese të tyre dhe duke u shndërruar në aksionarë të vërtetë politikë në vendet e tyre pavarësisht distancës.
© Panorama.al











