Berisha: Dhurata më e bukur për 100-vjetorin e pavarësisë

May 30, 2012 | 13:22
Rona Nishliu dhe ekipi përfaqësues në Eurosong, gjatë takimit me Kryeministrin Berisha

Vetëm pak orë prej kthimit nga Baku, nga u kthye me renditjen më të mirë që ka njohur Shqipëria në Eurosong, këngëtarja Rona Nishliu dhe ekipi shqiptar u pritën dje në një takim nga Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Berisha i shprehu këngëtares urimet më të përzemërta për suksesin në Eurovizion dhe e konsideroi atë si një sukses të shumëfishtë, duke theksuar se me interpretimin dhe këngën e saj arriti të tërheqë fuqishëm vëmendjen e mediave ndërkombëtare, që në natën gjysmëfinale të festivalit. Në finale, vijoi Kryeministri, “ju ishit zëri absolut i festivalit, interpretimi më i shkëlqyer, ishit një përfaqësim shumë dinjitoz dhe arritje e madhe për gjithë shqiptarët, për Shqipërinë dhe për Kosovën”. Edhe për sa i përket vlerësimit, Kryeministri shprehu kënaqësinë për mbështetjen e madhe që pati nga të gjitha vendet. Ai theksoi se përfaqësimi dinjitoz i Ronës në Eurovizion është dhurata më e bukur që kënga shqiptare i bën Shqipërisë në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Nga ana e saj, këngëtarja Rona Nishliu  falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij në këtë përfaqësim të saj në Eurovizion. “Ndihem e privilegjuar që sot ndodhem këtu në këtë takim me ju dhe ju falënderoj jashtëzakonisht shumë për mbështetjen dhe telefonatën që më bëtë menjëherë pas festivalit, e cila ka qenë befasia më e këndshme, gjë që më bëri të ndihem edhe më krenare për atë që realizova në skenë”, u shpreh këngëtarja. Më tej, ajo dhe stafi që e shoqëronte, ndau emocionet e përjetuara gjatë ditëve të festivalit.

© Panorama.al

Te lidhura