Berisha: Deputetët të zbresin në bazë për fushatën zgjedhore

Sep 11, 2012 | 12:16

Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar dje deputetëve të zbresin në bazë për t’u shpjeguar qytetarëve arritjet e maxhorancës në këto katër vite. Afro dhjetë muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, kreu i Ekzekutivit është shprehur se të njëjtën gjë do të bëjë edhe vetë kur të nisë kontaktet me elektoratin për të marrë një mandat të tretë qeverisës. Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar demokrat, e para në këtë sesion të ri kuvendor, lideri i maxhorancës është shprehur optimist për këtë fazë të parë të fushës, teksa tha se një numër shumë i madh projektesh janë realizuar. “Duhet të zbresim në bazë për të filluar fushatën. Si kurrë ndonjëherë nuk kemi qenë më të fortë”, mësohet të ketë thënë Kryeministri dje. Ai u shpreh se zbritja e deputetëve në bazë bëhet pikërisht në këtë moment që të jenë harruar qejfmbetjet dhe problemet e evidentuara në fushatën e fundit zgjedhore, atë lokale të një viti më parë. Gjatë pjesës me dyer të mbyllura të mbledhjes së Grupit, e cila zgjati rreth 15 minuta, deputeti i qarkut të Lezhës, Mark Marku, ngriti shqetësimin për disa shkarkime në sektorin e Shëndetësisë. Sipas tij, në të gjithë vendin janë shkarkuar rreth 50 punonjës, ndërkohë që vetëm në Rrëshen janë shkarkuar shtatë persona, një numër i madh ky në raport me numrin e përgjithshëm. Nga ana e tij, Kryeministri është shprehur se do të marrë më shumë informacion lidhur me këtë çështje dhe do t’i japë një përgjigje.

© Panorama.al

Te lidhura