Berisha: Rama, pengesë për disa reforma

Jul 18, 2011 | 13:51

TIRANË- Duke analizuar gjithë punën e bërë nga qeveria në kuadër të zhvillimit të vendit, lëvizjes së lirë, reformave në shumë fusha dhe duke falenderuar aleatët per bashkepunimin, kreu i qeverisë Sali Berisha ka akuzuar rivalin socialist Edi Rama dhe politikën e tij bllokuese për ngecjen e disa reformave të tjera të rëndësishme për vendin.

Në mbledhjen e sotme të grupit të PD-së, Berisha ka pranuar se reforma të tilla si ajo zgjedhore, kodi për transportin ajror, ligji për Gjykatën Administrative etj mbetën peng i politikës bllokuese të kreut të PS-së, Edi Rama.

“Disa nga reformat ngecën për shkak të vendimit të Ramës për të përdorur pushtetin që sovrani i ka dhënë me votë të lirë për të bllokuar dhe jo për të votuar”- tha Berisha. Ai u ndal në letrën e fundit që kreu I grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi i nisi homologut në PS, Gramoz Ruci, duke kujtuar përgjigjen e mbërritur si tejet të pavend.

“Përgjigja ishte se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste orientale dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori që ka mërzitur aq shumë veshët e shqiptarëve dhe vetë shqiptarët ditën të qëndrojnë ndaj tij në zgjedhjet e 8 majit. Ne qëndrojmë të hapur, besojmë se cdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë qëndrimin e vet. Rama beson se bojkoti ishte strategji e suksesshme, por po të lexoj mesazhin e shqiptarëve mund të nxjerrë konkluzion tjetër”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura