TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha tha sot se çështja e barazisë gjinore, përbën objektivin më madhor dhe më fisnik të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, ku çështje themelore në diskutim ishte barazia gjinore, kryeministri theksoi se procesi është një ndër më kompleksët.
“Ne, qeveria, agjencitë e saj, shoqëria civile, dhe shoqëria shqiptare në tërësi duhet të kenë përkushtimin dhe vendosmërinë për të luftuar realizimin e barazisë së burrit me gruan, nënës dhe babait, motrës dhe vëllait në shoqërinë shqiptare”- tha kryeministri
Berisha theksoi se kjo barazi, nënkupton parasëgjithash barazinë në përfitime, pasi sipas tij pabarazia në këtë fushë është reale.
“Në shqipëri për të gjetur një vend pune si rregull gratë dhe burrat kanë të njëjtën pagesë, problemi është tek shpërndarja, kjo bëhet e pabarabartë dhe kjo bën që, sipas studimeve në 2005, diferenca në pagën mesatare midis burrave dhe grave ka qenë 34%”
Sipas kryeministri kjo pasqyrohet më tepër në sektorin privat, pasi sipas tij drejtuesit në përgjithësi kanë qenë dhe janë burra, ndërsa shtoi se gjatë këtyre viteve kjo përqindje nuk ekziston më, por gjithsesi nuk është zhdukur.
“Ndërhyrjet në rroga, të mësuesve, infermiereve, mjekëve, profesione të dominuara nga vajzat dhe gratë, kanë sjellë një ngushtim të dallimit në rroga mes burrave dhe grave, por se kanë zhdukur atë”- tha ai.
Qeveria tha kryeministri, do të bëjë çdo përpjekje për të zhdukur këtë dallime.
© Panorama.al











