Berisha: Albpetroli, në dorë të Patton Bogs

Sep 11, 2012 | 12:31

Kryeministri Sali Berisha flet për herë të parë për privatizimin e kompanisë shtetërore “Albpetrol”, proces i cili nisi pak ditë më parë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat ai tha se komisioni i vlerësimit të ofertave dhe kompania konsulente “Patton Bogs” po shqyrtojnë të gjithë procesin. “Nuk kam çfarë t’ju them më shumë nga çfarë është thënë, sepse është komisioni i vlerësimit të ofertave që po e shqyrton të gjitha ofertat së bashku me kompaninë vlerësuese ‘Patton Bogs’. Sot po punojnë institucionet dhe kemi besim te Patton Bogs që do të japë ekspertizën më të mirë. Ditët e fundit kanë qenë pushim dhe sot komisioni ka nisur punën për shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të kompanive që kanë dhënë oferta për privatizimin e Albpetrol”, mësohet të ketë thënë Kryeministri në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar. Me gjithë interesimin e madh, asnjë nga deputetët demokratë nuk ka kërkuar më shumë informacion, duke parë edhe se cili ishte qëndrimi i Kryeministrit Berisha. Kompania e vlerësimit të ofertave mbylli ditën e premte procesin e marrjes së ofertave nga kompanitë e huaja, të cilat ishin të interesuara për të privatizuar kompaninë shqiptare. Kur të gjithë prisnin që për Albpetrolin ofertat për privatizimin të mos kalonin 300 milionë dollarët, është parë krejt e kundërta. Kjo shifër u tejkalua me gati 3 herë nga amerikanët. Ajo që u lakua aq shumë si një “luftë” për terren mes tri superfuqive, rezultoi të ishte një flluskë që u shua në 60 minutat e hapjes së ofertave. “Rusia” dhe “Amerika” këtë herë ishin plot 800 milionë euro larg në favor të së dytës. Kompania “Vetro Silkroad Equity” LTD, një bashkim kompanish që në themel ka “Silkroad Equity”, e vendosur në SHBA, ka ofruar plot 850 milionë euro për të privatizuar Albpetrolin. Kompania amerikane që bëri edhe ofertën më të madhe ka një eksperiencë nga konsulenca për biznesin, banka e gjakut dhe energjia.

REAGIMI I MINISTRISË
Zëvendësministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, në daljen e tij për mediat, komentoi edhe privatizimin e Albpetrolit, duke bërë me dije se komisioni i shqyrtimit të ofertave është duke punuar dhe se do të informojë herë pas here lidhur me procesin. “Komisioni ka për detyrë të ndjekë me vëmendje dhe në përputhje me ligjin rregullat e procedurës për gjithë procesin e mëtejshëm. Komisioni, pa dyshim që ka edhe pamundësinë e tij për të ruajtur kofidencialitetin e procesit dhe herë pas here ai do t’ju informojë për të gjithë hapat apo gjetjet, në mënyrë që publiku të jetë më i qartë dhe procedura të jetë më transparente”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura