“520 projekte, punësim direkt për 22 mijë vetë”

May 14, 2012 | 14:31
Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD

TIRANË- Zbatimi i 520 projekteve si vendimi i fundit i komitetit të zhvillimit të rajoneve do të sjellë punësimin direkt të 22 mijë shqiptare e në mënyrë indirekte po kaq. Kështu ka deklaruar sot kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku njoftoi projektet e reja që do të nisin zbatimin, që nga rrugët jo kombëtare, shkollat, qendrat shëndetësore dhe ujesjellësat.

“Këto projekte që shtrihen nga Konsipoli dhe jugu deri në Valbonë, Dukagjin e zona të tjera japin shtytjen përfundimtare të finalizimit të projektit të ndërtimit të një infrastrukture të re rrugore në mbarë vendin. Të financuar në ndërtim e sipër e që nisin nga e para ndërtimin janë rrugë jo kombëtare, rrugë qytetare që shkojnë kudo janë 1230 km së bashku me rrugë kombëtare bëjnë 1500 kilometër, me të cilat ndodh një transformim rrënjësor i infrastrukturës rurale të vendit”- tha Berisha.

Ai ka garantuar se shqiptarëve do t’u ofrohet infrastruktura e lagjeve e të qyteteve tona. “Ne do jemi aty ku jetojnë shqiptarët. Me 1500 km rrugë nuk përfundon tërësisht, por i jepet shtytja përfundimtare të rrjetit rrugor më modern në rajon e më gjerë. Në këto projekte janë 130 ujësjellësa që do furnizojnë me ujë 293 mijë banorë.  230 shkolla në mbarë vendin, që përmirësojnë shumë shkollimin e mbi 250 mijë nxënësve.   Ndërtohen 43 qendra shëndetësore që përfitojnë 122 mijë banorë. Në të gjitha këto projekte punësohen direkt 22 mijë punonjës dhe indirekt pothuajse po kaq”- tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura