Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje në mbrëmje Komitetin Ndërministror për 100-vjetorin e pavarësisë. Duke vlerësuar punën e bërë deri tani, kreu i qeverisë tha se 2012-ta do të jetë viti i të vërtetave të pamanipuluara. Sipas tij, “veprimtaritë për 100-vjetorin do të shtrihen në të gjithë vitin, pasi ky është një vit jubilar. Do të shënohen ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, deri më 17 shkurt 2008. Po punohet për ta shndërruar këtë vit në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare, pasi shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për të vërtetat, larg manipulimit të historisë. Kombi ka më shumë nevojë për të vërtetat e pamanipuluara. Por, këto nuk janë çështje të politikës, janë çështje të historianëve dhe historianët e studiuesit duhet t’i trajtojnë ato me objektivitet, të mos i shohin bardhezi”. Ai foli gjithashtu për rishikimin e historisë, të cilën duhet ta bëjnë historianët dhe studiuesit me objektivitet.
Britania: Hiqni imunitetin e zyrtarëve
Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcllwham
Ambasadorja e Britanisë në vendin tonë, Fiona McIlwham, tha dje se pas planit të veprimit, ngritjes së institucioneve dhe mjeteve kundër korrupsionit, vëmendja tani është e përqendruar te zbatimi dhe veprimi konkret: zbatimi i strategjisë antikorrupsion të qeverisë dhe veprimi për të hequr pengesat për hetimet… duke përfshirë imunitetin e gjyqtarëve, deputetëve dhe zyrtarëve. Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Transparency International për projektin e tyre “Sistemi i kontrollit mbi alokimet e buxhetit, si pjese e Strategjisë Antikorrupsion”, të financuar nga Këshilli Britanik dhe Banka Botërore, ambasadorja theksoi se progresi në luftën kundër korrupsionit nuk është jetik vetëm për progresin e Shqipërisë drejt BE-së, por edhe për fuqizimin e demokracisë. Ajo nënvizoi se keqpërdorimi i pushtetit – i fondeve publike apo postit – për përfitime personale, tjetërson sistemet demokratike.