
Krimi në Ndroq të Tiranës, vëllai, djali e vajza dëshmi kundër autorit.
Ylli Mansaku fjeti një natë me kufomën e së shoqes
Dalin në dritë detaje të reja horror nga “bëmat” e Ylli Mansakut, personit që u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe që fjeti një natë me kufomën e saj në shtëpi. Përveçse e ka dhunuar gruan për vite me radhë, i dënuari, sipas Gjykatës, ka kryer marrëdhënie seksuale me të dashurën e tij para syve të bashkëshortes dhe të tre fëmijëve të tyre, Ylli Mansaku ka tentuar ta vrasë atë dy herë të tjera. Një herë duke tentuar ta fusë në korrent dhe një herë ta mbyste në lumin Erzen. Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e shpallur më 22 qershor, sipas të cilit, Mansaku u dënua me 13 vjet e 4 muaj burg për “vrasjen me dashje” të Shpresa Mansakut më 19 dhjetor 2011, në komunën Ndroq, Tiranë. “Bëmat” makabre të Mansakut rrëfehen në vendim, një kopje e plotë e të cilit zotërohet nga gazeta. Faktet monstruoze janë rrëfyer në Prokurori nga familjarët e viktimës. Sipas dëshmive, të paktën 14 vitet e fundit kanë qenë një ferr i vërtetë për Shpresa Mansakun. “Kafshëria” e të dënuarit Ylli Mansaku nuk ka njohur limite as në momentin kur ai u ka rrëfyer fëmijëve të tij se u kishte vrarë nënën. Në vijim publikohen disa prej dëshmive me faktet rrëqethëse. VELLAI I SHPRESES
H. Muça, vëllai i viktimës, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, sqaron ndër të tjera se marrëdhëniet e Shpresës me bashkëshortin e saj Ylli nuk kanë qenë të mira. Ky shtetas deklaron se Shpresa ishte dëbuar nga shtëpia disa herë dhe përsëri pas disa ditësh Ylli kishte shkuar për ta marrë atë duke e kthyer në shtëpinë e tij. Ai sqaron se në një rast Ylli kishte tentuar ta vriste Shpresën, duke tentuar ta fuste në korrent. Në një rast tjetër ai kishte tentuar ta mbyste në lumin Erzen. Këtë gjë deklaruesit ia kishte thënë vetë Shpresa. Gjithashtu, Shpresa i kishte treguar dhe lidhur me një marrëdhënie të Yllit me një grua të martuar në lagje, me të cilën ai kryente marrëdhënie në sy të Shpresës dhe të fëmijëve të tij. Në një rast, Ylli, në bashkëpunim me të dashurën e tij, e kishin qëlluar me gurë Shpresën duke e dëmtuar atë në kokë dhe fytyrë. Ai thekson se Shpresa gjatë gjithë kohës ka qenë e dhunuar fizikisht nga Ylli dhe se ai vetë asnjëherë nuk ka marrë guximin që të bisedonte me Yllin për dhunimin që i bënte Shpresës, pasi ai mund ta vriste. Lidhur me ngjarjen e ndodhur ai sqaron se ka qenë në shtëpinë e tij kur është njoftuar nga vëllai i Yllit, shtetasi E. Mansaku, dhe se kur ka shkuar aty nuk ka marrë vesh gjë lidhur me faktin se si kishte ndodhur ngjarja.
VAJZA E VIKTIMES
Ajo sqaron se ngjarjen e ndodhur e ka marre vesh nga vëllezërit e saj, të cilët e kanë marrë në telefon nga Italia, ku i kanë kërkuar të shkonte te shtëpia e prindërve dhe të shikonte se çfarë kishte ndodhur. Kur ka shkuar te banesa e prindërve të saj, ajo ka kontaktuar aty me xhaxhallarët e saj dhe konkretisht, shtetasit E. Mansaku dhe H. Mansaku. Po kështu dhe me dy shokë të vëllait të saj, shtetasit me emrin Ervis dhe Duri. Pas 10 minutash, nga shtëpia ka dale babai i saj, Ylli, i cili i ka thënë: “Do që ta shikosh nënën tënde? Hajde se po ta tregoj”. E ka kapur me forcë për xhakete dhe kur është futur në korridor, ka parë nënën e saj të vdekur e të shtrirë në divan. Ajo shton se vrasjen e nënës së saj Ylli e ka bërë jo nga pakujdesia, por me qëllim, pasi nuk është hera e parë që ai e ka keqtrajtuar, rrahur e lidhur me litar në pemë para shtëpisë. Ajo thekson se Ylli e ka mbajtur të fshehur ngjarjen 24 orë.
DJALI I VIKTIMES
B. Mansaku, djali i viktimës, ndër të tjera, deklaron se marrëdhëniet mes nënës së tij Shpresa dhe babait Ylli, nuk kanë qenë të mira. Shkaku ka qenë se babai i tij, Ylli, rreth viteve 1993-1994, merrte një grua të lagjes në shtëpi dhe kryente marrëdhënie me të. Këtë gjë Ylli e bënte hapur, duke qenë në shtëpi nëna e tij Shpresa, po kështu dhe vetë B. dhe vëllai i tij A. Kjo gjë ishte bërë shkak që mes Shpresës dhe Yllit të ketë konflikte dhe mosmarrëveshje, ku Ylli filloi ta keqtrajtonte Shpresën duke e rrahur atë vazhdimisht. Ai sqaron se në vitin 2002, Ylli bashkë me të dashurën e tij e kanë qëlluar me gurë Shpresën në kohën kur ajo po shkonte në bahçe, duke e plagosur atë në kokë. Gjithashtu Ylli i kishte kërkuar vazhdimisht Shpresës që të largohej nga shtëpia dhe të shkonte te njerëzit e saj në Bozanxhije, Durrës. Dhe pas disa ditësh ai vetë shkonte përsëri dhe e merrte atë në shtëpi. Ai thekson se në vitin 1999 Ylli është konfliktuar në lagje me shtetasit M. Plaku dhe K. Plaku. Në sherr e sipër, shtetasit M. dhe K. Plaku e plagosën atë me armë zjarri. Pasi mori ndihmën mjekësore në spital, Ylli kthehet në shtëpi dhe që nga ajo periudhë ai ishte shumë agresiv dhe për gjënë më të vogël e dhunonte dhe e rrihte Shpresën. Kohët e fundit Ylli pinte shumë alkool dhe ishte tepër agresiv, qëllonte me armë zjarri pa motiv. Po kështu, ai, në gjendje të dehur, qëllonte dhe në drejtim të banesave të komshinjve dhe shprehej në debat me ta se “do t’ju vras”. Më tej ai sqaron se në kohën që ka ndodhur ngjarja, ai bashkë me vëllanë e tij A., kanë qenë në Itali, ku është njoftuar nga xhaxhai i tij, shtetasi E. Mansaku. Me të marrë lajmin për vrasjen e nënës ai ka marrë në celular Yllin, ku i ka thënë “më jep t’i flas mamit në telefon”. Ai i është përgjigjur se nuk flet dot. Blerimi i ka thënë se “ti e ke vrarë dhe më thuaj arsyet se përse e ke vrarë”. Ylli i thotë se “desha me e vra, se më desh k…”. Deklaruesi ka thënë se marrëdhëniet e prindërve të tij, viktimës Shpresa dhe të pandehurit Ylli, nuk kanë qenë të mira. I pandehuri Ylli ka qenë vazhdimisht i dhunshëm dhe e ka dhunuar në vazhdimësi viktimën.
Gjykata: Si ndodhi vrasja brenda banesës në Ndroq
TIRANE – Sipas Gjykatës, nga shqyrtimi i provave ka rezultuar gjithashtu e provuar se më datë 19.12.2011, i pandehuri Ylli Mansaku ka vrarë me dashje me një armë që e mbante pa lejen e organeve kompetente bashkëshorten e tij, viktimën Shpresa Mansaku, ndërsa kjo e fundit ka qenë në verandë duke larë enët. I pandehuri e ka qëlluar disa herë në distancën vetëm 2 metra. Mbas ngjarjes i pandehuri me gjakftohtësi e ka mbuluar viktimën dhe është larguar për t’u kthyer vetëm mbas 35-40 minutash. E ka marrë viktimën dhe e ka futur në banesë duke e vendosur në krevat. Po kështu edhe vetë ka qëndruar në kuzhinë duke fjetur për gjithë natën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ai ka pastruar edhe gjakun, duke mbledhur edhe gëzhojat e predhave të qitjes së realizuar mbi viktimën. Ditën tjetër, më datë 20.12.2011, i pandehuri ka dalë nga banesa për të kërkuar bagëtinë e tij që nuk ishte kthyer nga mali, megjithëse në shtëpi kishte kufomën e bashkëshortes së tij. Pasi është kthyer në banesë, ai është ndërruar dhe ka shkuar në fshat për të pirë kafe. Vetëm rreth orës 15:00-16:00 të datës 20.12.2011 ka telefonuar të vëllain e tij shtetasin E. Mansaku, dhe ky i fundit ka njoftuar familjarët dhe forcat e policisë.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











